2017-11-06 13:20:00

Përkujtimi liturgjik i 38 martirëve të lum të Shqipërisë


Pas meshëve solemne, koncerteve e veprimtarive të tjera, Shqipëria e trevat e tjera shqiptare, ashtu si mbarë Kisha universale, kremtuan sot përkujtimin liturgjik të 38 martirëve shqiptarë të komunizmit, lumnuar vitin e kaluar, më 5 nëntor, në Shkodër.

         Për gjithë Kishën Katolike në Shqipëri, e sotmja është dita e mbylljes së kremtimeve, që filluan ditën e shtunë, më 4 nëntor, me një meshë solemne në katedralen e Shën Shtjefnit. Dje, pikërisht kur të gjithëve u vinte ndërmend mesha madhështore dhe Shkodra e mbushur me portretet e martirëve, më 5 nëntorin e vitit 2016, në të gjitha dioqezat e Shqipërisë u përkujtuan martirët në çdo meshë, gjatë gjithë ditës.

Shumë ipeshkvij të vendit dhe të trevave të tjera shqiptare, imzot Asti nga Kisha ortodokse dhe nunci apostolik në Tiranë, imzot Charles Brown, u mblodhën në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit për kremtimin e meshës solemne, e cila qëllimisht u tha në të njëjtën ditë me përvjetorin e meshës së parë pas komunizmit, kremtuar nga don Simon Jubani. Kryeipeshkvi, imzot Angelo Massafra, gjatë homelisë së meshës, foli për trashëgiminë e martirëve, duke e lidhur me gjendjen aktuale të shqiptarëve. “Guxim Shqipëri! – bëri thirrje ai. – Në ty janë bukuria, natyra, burimet, mirësia dhe vlerat njerëzore e fetare. Je e pasur e nuk e di”. Imzot Massafra u kërkoi besimtarëve të qëndrojnë në vend për të ndihmuar në zhvillimin e tij e në arritjen e kushteve më të mira të jetës, ndërsa qeveritarëve e politikanëve, të luftojnë më shumë kundër korrupsionit dhe çdo shfaqjeje mafioze.

Përveç meshëve, nëpër kisha të ndryshme u zhvilluan edhe veprimtari të tjera. Për shembull, në Rrëshen, në praninë e ipeshkvit, imzot Gjergj Metës, besimtarët ndoqën koncertin e korit të kishës vendase e të asaj të Lezhës. Duke u kthyer në Shkodër, u përurua pllaka përkujtimore për martirët, që janë pjesë e kësaj kryedioqeze. Në të shkruhet: “Në vitin e Zotit 2017, më 5 nëntor, me rastin e përvjetorit të parë të lumnimit të imzot Vinçenc Prennushit me 37 shokë martirë, Arqipeshkvi metropolitan i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra O.F.M., mirënjohës ndaj Zotit të Gjithëpushtetshëm, për dhuratën e madhe të këtyre heronjve të fesë, kujton Martirët e lumë, që kanë banuar në këtë Arqipeshkvi Metropolitane”.

E më pas, rreshtohen: “dom Lazër Shantoja, dom Luigj Prendushi, dom Ndre Zadeja, dom Anton Muzaj, dom Marin Shkurti, dom Mikel Beltoja. Qoftë bekuar kujtimi i tyre dhe ndërmjetësimi i tyre i përbashkët fitoftë prej Trinisë së Shenjtë çdo hir shpirtëror”.

Por le të dëgjojmë një pjesë nga homelia e imzot Massafrës, ndërsa sot, 38 martirët shqiptarë i kremton e gjithë Kisha universale, në ditën e përkujtimit të tyre liturgjik…

 








All the contents on this site are copyrighted ©.