2017-11-06 11:34:00

Papa: përballë mëkateve tona, ta lëmë Zotin të na mëshirojë


Papa: përballë mëkateve tona, ta lëmë Zotin të na mëshirojë. Kur Zoti të jep një dhuratë, ta jep përgjithmonë: Zoti nuk ta jep sot, për të ta marrë nesër. Kur të thërret, të thërret për gjithë jetën! Nisi nga ky reflektim, homelia e Papës gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, frymëzuar nga tema e “zgjedhjes së Zotit”, e pranishme në Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve.

Në historinë e shëlbimit ishin tri, dhuratat e thirrjet e Zotit drejtuar popullit të vet - shpjegoi Françesku - të gjitha, të dhuruara një herë e përgjithmonë, sepse Zoti është besnik: “Dhurata e zgjedhjes, e premtimit, e besëlidhjes”. Kështu ishte për Abrahamin, e kështu është edhe për të gjithë ne:

“Secili prej nesh është i zgjedhur, e zgjedhur, prej Zotit. Secili mbart një premtim, që i bëri Zoti: ‘Ec në praninë time, ji i paqortueshëm e do të të bëj këtë’. E secili nesh lidh besë me Zotin. E është i lirë ta mbajë a të mos e mbajë. Ky është fakt. Pas të cilit vjen një pyetje: si e ndjej unë zgjedhjen? Ndjehem vërtet i krishterë, apo jam rastësisht? Si e jetoj premtimin, premtimin e shëlbimit, në udhën time; si e sa e mbaj besën e dhënë? Si Ai, që është besnik?”.

Prej këndej, përballë “vetë besnikërisë, që është Zoti, ne s’na mbetet tjetër - shtoi Papa - veçse t’i bëjmë vetes pyetjen: a e ndjejmë ledhatimin e Tij, kujdesin e Tij për ne? A e ndjejmë se na kërkon, kur i largohemi?

E akoma - vijoi Françesku, nësa kujtonte Shën Palin - duke folur për zgjedhjen e Zotit, Apostulli rikthehet katër herë tek fjalët e Tij  “mosbindje” e “mëshirë”. Ku është njëra - shpjegoi Papa - ishte edhe tjetra, e kjo është dhe udha jonë e shëlbimit:

“Kjo do të thotë se në udhën e zgjedhjes, drejt premtimit e besëlidhjes, janë dhe mëkatet, është mosbindja, por para kësaj mosbindjeje, është gjithnjë edhe mëshira. Është si dinamika e udhës sonë drejt pjekurisë: mëshira është gjithnjë, sepse Zoti është besnik, nuk kërkon kurrë t’ia kthejmë dhuratat”.

Dy gjëra, që lidhen njëra me tjetrën. Pse janë të pakthyeshme dhuratat? Sepse përballë ligështive tona, mëkateve tona, është gjithnjë mëshira e Zotit, e kur Pali arrin tek ky reflektim, bën një hap më shumë, jo për të na dhënë shpjegime, por për ta adhuruar Zotin.

Adhurim e lavdërim i heshtur, pra, përballë këtij misteri të mosbindjes e të mëshirës, që na bën të lirë, e përballë bukurisë së dhuratave, që jepen përgjithmonë: zgjedhjes, premtimit, besës së lidhur pazgjidhshmërisht. E kjo ishte edhe ftesa e fundit e Papës:

“Mendoj se mund të na bëjë mirë ne të gjithëve, të mendojmë sot për zgjedhjen tonë, për premtimin, që na bëri Zoti e për mënyrën si e jetoj unë besëlidhjen me Të. E edhe si e lë veten të mëshirohem nga Zoti, me gjithë mëkatet e mosbindjet e mia. E, së fundi, nëse jam i aftë - si Pali - ta lavdëroj Zotin për gjithçka më dhuroi, mua e ne të gjithëve: ta lavdëroj e ta adhuroj. Pa harruar kurrë se dhuratat e thirrja e Zotit nuk kthehen më, na jepen një herë e përgjithmonë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.