2017-11-06 14:40:00

Mesha e imzot Viganò në ambasadën e Italisë, në kujtim të Shën Karl Borromeos


Sot paradite Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, kremtoi Meshën në ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, që ndodhet në Pallatin Borromeo, ku pati jetuar Shën Karli. Ishte Meshë për kujtimin e Shenjtit - festa e të cilit u kremtua më 4 nëntorin e kaluar - për personelin e ambasadës:

“Në këtë kremtim na shoqëroftë e na ndihmoftë Ipeshkvi Shenjt Karl Borromeo, që jetoi këtu kur ishte bari i ri e shkriu gjithë vetveten për të mirën e popullit të vet, duke e mbrojtur nga paudhësitë e prepotentëve e të atyre, që ushtronin padrejtësisht pushtetin. Duhet ta keni Pajtor të përhershëm e model  frymëzimi gjatë kryerjes së detyrave tuaja të përditshme”. Kështu i nxiti, gjatë homelisë, imzot Viganò, punonjësit e ambasadës. E duke e marrë shtytjen nga Letra I e Shën Palit Apostull  drejtuar Romakëve, kujtoi se Zoti u qëndron besnik premtimeve të veta  dhe e mban këtë besnikëri në shekuj të shekujve.

Prefekti i dikasterit të komunikimeve vatikanase kujtoi, më pas, një reflektim të Papës Françesku, shkëputur prej njërës nga homelitë, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës. “Zoti nuk na shpëtoi me ndonjë letër, me ndonjë dekret, por na shpëtoi e vijon të na shpëtojë me dashurinë e tij, duke i rikthyer njeriut dinjitetin dhe shpresën, përmes Birit të vet të vetëm, që u bë njëri nga ne e eci me ne. Kjo është udha e shpëtimit”.  

Më pas imzot Viganò kujtoi se “të gjithëve na kërkohet impenjimi i dëshmisë, secilit sipas përgjegjësisë a detyrës, që kryen. Në detyrën institucionale nuk duhet të humbasë kurrë e mira e njeriut, dinjiteti i tij,  pranimi i ligështive dhe mbrojtja e të drejtave. Në respektimin e normave të institucioneve e të organizmave ku punojmë, nuk duhet të mungojë kurrë epërsia e njeriut”.

Në përfundim të  homelisë, prelati citoi një lutje të Shën Karl Borromeo-s:

“O i ëmbli Jezus, mik i dhembshur, vëlla, dhëndërr, a është e mundur që ndokush të mos preket në shpirt duke dëgjuar fjalët Tua e të mos përmallohet, duke parë plagët Tua e gjakun Tënd? Si mund t’ia lejoj vetes që Ti të trokasësh më gjatë në portën time? Hyrë, hyrë në shtëpinë tënde, në dhomën tënde: më stërpik, më laj, më deh me gjakun Tënd, që të jem përgjithmonë me Ty e të mos largohem Teje kurrë më!”.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.