“Ekziston një problem themelor në shoqërinë tonë e të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për të. Kultura e jetës nuk mund ta tolerojë më dhunën e armatosur, në asnjë formë të saj”. Kështu deklaroi me forcë kardinali Daniel DiNardo, kryetar i Konferencës ipeshkvnore amerikane, duke komentuar të shtënat në kishën batiste të Sutherland Springs, në Texas, dje paradite, me autor Devin Patrick Kelley. I riu, 26 vjeçar - njofton agjencia Sir - që kishte shërbyer në Flotën ushtarake të SHBA-ve, duke shtënë me pushkë, vrau 26 vetë e plagosi 20 të tjerë, ndërsa kremtohej funksioni i së dielës.
Ndërmjet viktimave, edhe fëmijë, një grua shtatzënë dhe e bija e pastorit. “Kjo ngjarje tragjike dhe e pakuptueshme zgjat listën gjithnjë në rritje të vrasjeve në masë, disa nga të cilat ndodhin edhe në kisha, ndërsa njerëzit janë në uratë e adhurim - vijon kardinali DiNardo - që siguron lutjet nga ana e tij dhe e të gjitha kishave katolike, thellësisht të pikëlluara për bashkësinë batiste, “të mbledhur në një vend shenjt, e tani të shpërfytyruar nga dhuna”.
Të gjitha dioqezat katolike i shprehin përdhimbtimet e tyre kishës batiste, luten dhe kërkojnë përpjekje të përbashkëta në favor të paqes e të pajtimit, duke vënë edhe Karitaset e tyre në dispozicion të plotë të familjeve të viktimave.
Ndërkaq vijojnë hetimet për vrasësin, i cili u gjend i vdekur në makinën e tij, i goditur me armë zjarri.
Presidenti amerikan Tramp, i cili vijon vizitën në Japoni, njoftoi se po e ndjek nga afër situatën dhe gjithë punën hetimore, që po bëhet për ta kuptuar shkakun e kësaj vrasjeje të re në masë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |