2017-11-05 00:00:00

Shenjtorët e javës 5 – 12 nëntor


E diel 5 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 5 tetor, kalendari përkujton shenjtorët Domninin, Teotinin me shokët martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin. 

Të hënën më 6 nëntor,  kalendari përkujton shën Leonardin vetmitar. Liturgjia e kësaj së diele na fton e na ndihmon të meditojmë, të shpresojmë e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”.
 
Të martën më 7 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Erkolaun, shën Balbo-n dhe shën shën Ernestin. Liturgjia  e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.

Të mërkurën më 8 nëntor, kalendari përkujton shën Gofredin, shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Të Lumin Gjon Dunks Skot. Liturgjia e kësaj të diele na paraqet dy vejusha për të na folur për mikpritje (Libri I i Mbretërve) e për bujari të përvujtë (Ungjilli).

Të enjten më 9 nëntor, Kisha kremton festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë. Liturgjia na kujton se ky tempull është Katedralja e Ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit. 

Të premten më 10 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Leonin e madh, papë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.

Të shtunën më 11 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Martinin, ipeshkëv i Turit e shën Bartolomeun, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.

Të dielën e ardhshme më 12 nëntor, Kisha katolike do të kremton të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare e, po më 12 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Jozafatin, ipeshkëv e martir e shën Diegon, laik françeskan.  Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.








All the contents on this site are copyrighted ©.