2017-11-03 14:20:00

Papa: bashkimi me të vdekurit nuk është thjesht dëshirë, është i vërtetë


“Bashkimi me të vdekurit nuk mbetet vetëm dëshirë, është i vërtetë”, sepse Jezusi u bë vëllai ynë, me mish e gjak si ne, deri në vdekje; e me  dashurinë e tij e copëtoi zgjedhen e vdekjes e na hapi portat e jetës”. Këtë theksoi sot Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Pjetër për shpirtin e  kardinajve e ipeshkvijve, që ndërruan jetë 12 muajt e fundit. Ndërmjet tyre, edhe kardinali Ivan Dias, Nunci i parë Apostolik në Shqipëri, i cili ndërroi jetë më 19 qershor 2017.

Gjatë homelisë, Françesku kujtoi posaçërisht vlerën e Eukaristisë, parë si lidhje me ata, që na paraprinë:

“Duke u ushqyer me Korpin dhe Gjakun e Krishtit, ne bashkohemi me dashurinë e tij besnike, që mbart në vete shpresën e fitores përfundimtare  të së mirës mbi të keqen, mbi vuajtjen, mbi vdekjen”.

Françesku u rikthye tek diskutimi mbi përkthimin e fjalës “multus” dhe i dha të drejtë Papës Ratzinger:

“Të shumtët që do të ringjallen për jetën e pasosur, duhen kuptuar si shumica, për të cilën u derdh Gjaku i Krishtit”. Mbajti, kështu, qëndrim të qartë në favor të vijës së pararendësit, Benediktit XVI, në diskutimin mbi përkthimin e fjalës “pro multus” të formulës së shugurimit eukaristik. Më 14 prill 2012, Benedikti XVI u pati shpjeguar ipeshkvijve gjermanë pse është më i drejtë përkthimi “për shumë”, si zëvendësim i “për të gjithë”, hyrë në përdorim pas Koncilit  në Itali e në vende të tjera. Në të vërtetë fjala “për shumë” a për “shumëkënd”, që sigurisht nuk e përjashton në asnjë mënyrë ofertën e shëlbimit për të gjithë, që e bëri Krishti në kryq, e respekton më shumë lirinë personale të çdo njeriu, që mund ta pranojë ose jo, propozimin e shëlbimit!

 Karakteritika themelore e të krishterit

“Ndjenja e pritjes së dridhshme të takimit përfundimtar me Zotin - nënvizoi Françesku – është karakteristikë themelore e të krishterit”

Ata që flejnë në viset e pluhurit, domethënë nën dhe, janë të vdekurit e rizgjimi nga vdekja - vijoi të shpjegojë Papa në homelinë e tij - nuk është, në vetvete, rikthim  në jetë. Disa do të zgjohen për jetën e amshuar, të tjerë për turpin e amshuar:

“Vdekja e bën përfundimtar udhëkryqin, që e kemi parasysh mbi këtë dhe, domethënë, atë që të çon në bashkim me Zotin, ose rrugën e vdekjes, atë që të çon larg Tij. Por kush janë ata, që do të rilindin? Për Françeskun, janë ‘turma’  e cila, falë mirësisë së Zotit, mund ta shijojë realitetin e jetës, që nuk kalon. Fitoren e plotë mbi vdekjen, përmes ringjalljes”.

Shpresa nuk të zhgënjen

Duke folur për klerikët e vdekur, Papa citoi një nga vargjet më shprehëse të Psalmit 41: “Shpirti im ka etje për Zotin, Zotin e gjallë: kur do të vij e ta shoh fytyrën e Zotit?”. Fjalë poetike këto - shpjegoi në vijim - që interpretojnë në mënyrë prekëse pritjen tonë plot afsh e etje për dashurinë, bukurinë, lumturinë e urtinë e Zotit, vulosur edhe në  shpirtin e kardinajve e ipeshkvijve tanë, që sot i kujtojmë e që na lanë, pasi i shërbyen besnikërisht Kishës e grigjës së tyre:

“E ndërsa falënderojmë Zotin për shërbimin bujar që i bënë Ungjillit e Kishës, na duket sikur i dëgjojmë duke përsëritur, me Apostullin: “Shpresa nuk të zhgënjen! Jo, nuk të zhgënjen. Zoti është besnik e shpresa jonë në Të nuk është e kotë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.