2017-11-02 17:35:00

Papa në Varrezën e Nettunos: lufta është shkatërrim i vetvetes


Një Meshë për gjithë të rënët e luftërave: Papa Françesku deshi ta kremtojë  në ditën, kur Kisha përkujton gjithë besimtarët e vdekur, e jo në Vatikan, por në një nga vendet që lidhen me Luftën II Botërore, në Varrezën Amerikane të Nettunos, në provincën e Romës. Papa lëshoi një kushtrim të vërtetë kundër luftës, përmes një lutjeje të përgjëruar, lartuar drejt fronit të Zotit: “Të lutem, o Zot! Ndalu!” Kurrë më , o Zot!.

Por, ta dëgjojmë homelinë e shqiptuar lirisht nga Papa:

“Të gjithë ne jemi mbledhur këtu në shpresë. Secili prej nesh, në zemër të vet, mund të përsërisë fjalët e Jobit, dëgjuar në Leximin I: “E pra unë e di se Shpërblyesi im është i gjallë e se i fundmi do të ngrihet përmbi pluhur” . Shpresa për ta ritakuar Zotin, për t’u ritakuar të gjithë ne, është shpresë, që nuk të zhgënjen. Pali u shpreh edhe më fuqishëm në Leximin II: “Shpresa nuk zhgënjen!”.

Por shpresa shpesh lind e lëshon rrënjë në shumë plagë njerëzore, në shumë dhimbje njerëzore; e ky çast dhimbjeje, plage, vuajtjeje, na bën të shikojmë Qiellin e të themi: “Unë besoj se Shpërblyesi im është gjallë. Por, ndalu, o Zot!”. E kjo është lutja, që del nga goja e ne të gjithëve, kur shikojmë këtë varrezë. “Jam i sigurt, o Zot, se jam me ty. Jam i sigurt”: ne e themi këtë. “Por, të lutemi, o Zot, ndalu!”. Kurrë më, kurrë më luftë! Kurrë më kjo masakër e panevojshme - siç e pati quajtur Benedikti XV. Më mirë të shpresosh, pa gjithë këtë shkatërrim: të rinj - e mijëra, e mijëra, e mijëra, e mijëra … shpresa të thyera: “Jo, më, o Zot!”. E këtë duhet ta themi sot, kur lutemi për gjithë të vdekurit, por, në këtë vend, lutemi në mënyrë të veçantë për këta djem, sot, kur bota është përsëri në luftë e  përgatitet të hyjë thellë e më thellë në të: “Jo më, o Zot! Jo më! Me luftën humbet gjithçka!”.

Më vjen në mendje ajo  plaka që, duke parë rrënojat e Hiroshimës, me nënshtrimin e urtë ndaj fatit, por jo pa dhimbje të thellë, me atë nënshtrim  vajtojcash, që dinë ta jetojnë vetëm gratë, sepse është karizma e tyre, pati thënë: “Njerëzit bëjnë gjithçka munden për ta deklaruar e për ta bërë luftën, e, në fund, asgjësojnë vetveten”. Sigurisht kjo grua, kjo e motuar,  kishte humbur bijtë, nipat e kishte shumë plagë në zemër e lot në sy. E nëse sot është ditë shprese, është edhe ditë vaji. Ditë mandate, si ajo që dëgjonin e vajtonin gratë, kur arrinte posta: “Ju, zonjë, keni nderin të jeni gruaja e një heroi të Atdheut! Nderin që bijtë e tu janë heronj të Atdheut!” Janë lot që njerëzimi, i cili nuk e ka nxënë e, me sa duket, as nuk do ta mësojë mësimin, nuk duhet t’i harrojë kurrë!

Kur shpesh në histori njerëzit mendojnë të bëjnë luftë, janë të bindur se po sjellin një botë të re, të bindur se po bëjnë pranverë. Ndërsa gjithçka përfundon me një dimër të akullt, mizor. Me mbretërinë e terrorit e të vdekjes. Sot lutemi për gjithë të vdekurit, për të gjithë, por në mënyrë të veçantë, për këta të rinj, në një çast kur shumë të tjerë vdesin në betejat e çdo dite të kësaj lufte me copëza. Të lutemi edhe për të vdekurit e sotëm, të vdekurit e luftës, edhe për fëmijët e pafajshëm. Ky është fryti i luftës: vdekja! E Zoti na dhashtë hirin të qajmë!








All the contents on this site are copyrighted ©.