2017-11-01 11:33:00

Sot, Festa e Gjithë Shenjtorëve


Sot është Festa e bashkimit, në të cilën takohen shenjtorë e mëkatarë, që i shtrëngojnë dorën njëri tjetrit, në shtegtimin e pambaruar nga jeta, në jetë. Është festa e asaj feje, në të cilën u pagëzuam, në të cilën besojmë: “Besoj në shoqërinë e shenjtorëve, domethënë besoj në Ungjillin që e dëgjojmë, në shoqërinë e të varfërve, të atyre që punojnë për paqen, shoqërinë e të mëshirshëmve, të të persekutuarve, besoj në forcën e atyre, që e kanë shpirtin pa njollë, në shoqërinë e zemërbutëve, të vetmit që mund t’ia ndryshojnë faqen kësaj toke, ku banojnë së bashku të gjallë e të shuar, me historitë e tyre të këputura nga vdekja, a ende në vijim…

Në karvanin e pafundmë të kësaj historie, shikojmë sot të mirët, të drejtët, të kulluarit, ata që vuajtën më shumë e që u prijnë të tjerëve, që i tërheqin pas vetes përpara e drejt qiellit. E shikojmë edhe gjithë udhën e jetës sonë. Kush e ka zemrën të kulluar, ai prin në këtë rrugë; kush qau më shumë, shikon më larg, kush pati mëshirë, i ndihmon ata që janë në udhëkryq të rinisen.

Sot nuk është festa e ndonjë shenjti, por e të gjithëve, Festa e lumit të rrëmbyer të jetës, që sjell me vete baltë e margaritarë, fundërrina e iskra ari. Në secilin shohim gjurmën e secilit; në secilin,  diçka nga Shën Françesku, nga Gandi, nga Shën Nënë Tereza, nga martirët tanë, nga Edith Stein… Në bashkësinë e shenjtorëve gjejmë forcën, pastërtinë, sytë e kthjelltë të Marisë së Nazaretit, që na shikojnë e na mbrojnë.

Sot brenda kësaj kornize janë portretet e të gjithë shenjtorëve. Secili ka shenjtorët e vet, ashtu si ka të vdekurit, të cilët do të mund t’i takojë përsëri, duke i vizituar atje ku bëjnë gjumin e mbramë, në pritje të zgjimit. Shenjtorët janë miqtë tanë të vërtetë. E në listat e tyre mund të shkruhen të gjithë: të varfër e të pasur, të butë, të mëshirshëm, ankimtarë, të pakuptuar, me sy të pastër e të papastër… që nuk guxojnë ta shikojnë tjetrin në sy…

E ka edhe shenjtëri lotësh të atyre që qanë shumë e që janë thesari, i cili mbush plot arkivet e pafundme të Zotit.

Kjo Festë është rast edhe për të shikuar drejt së ardhmes,  asaj dite të lume, kur do të mund t’i ngjasim Zotit. Sepse Shenjtorët i ngjasin Atij

Sot u mblodhëm për të kremtuar Gjithë Shenjtorët. Nesër do të mblidhemi e të meditojmë për një mori miqsh e  familjarësh të shuar, e edhe për vdekjen tonë, e të kërkojmë një bashkim edhe më të fortë se vdekja, bashkim me shenjtorët! Ky meditim, mes varreve ngarkuara me lule e qirinj të ndezur për shpirtrat e të shuemëve, do të na i terë lotët e do të na nxisë të shikojmë lart, në qiell, ku shpresojmë t’i takojmë përsëri një ditë, në Shoqërinë e Shenjtorëve….








All the contents on this site are copyrighted ©.