2017-11-01 11:37:00

Amshimi e mban zemrën pezull…


Amshimi e mban zemrën pezull…

(Meditim)

Kur shuhet drita në sy

e dielli  thërmohet ngadalë

ndër rremat e selvive,

njeriu lëngon për vdekje…

pse në shpirt i v’lon der’ në fund

dëshira e përjetës.

Zemra milionash rrahin

në kërkim të një Emri

para se të shuhen.

 

Të gjallët rrëzë kryqash,

përulen deri në tokë

me sy të përlotur.

Koha kalon si ëndërr

e kalendari shënon

një ditë pa të nesërme.

 

Kur pika e fundme e dyllit

pikon mbi rrasë, në terr.

njeriu zgjohet në ditën e kthimit

te Ati.

Amshimi e mban zemrën pezull,

jo nata e varrit!

E shpirti e josh njeriun

krejt i kulluar të kthehet

nga pati ardhur.

Atje, ku zërat e botës

më nuk ushtojnë

e rruga dahet më dysh:

gjysma është vdekje, pa zgjim,

e gjysma tjetër - amshim!








All the contents on this site are copyrighted ©.