2017-10-31 08:02:00

Zef Marku shugurohet diakon i dioqezës së Sapës


Kisha diqoezane e Sapës feston diakonin e ri. Të shtunën e kaluar më 28 tetor 2017, në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, i kremtua shugurimi diakonal i seminaristit Zef Marku nga imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës. Në homelinë e Meshës së shugurimit, imzot Simon Kulli duke iu drejtuar diakonit të ri, mes tjerash theksoi: “Bir fort i dashur që po e merr urdhrin e diakonatit, ne të gjithë, së bashku me ty i lutemi Zotit që të dhurojë hirin e duhur për të kuptuar madhështinë dhe bukurinë e asaj që po fillon dhe për t’iu përgjigjur me bujari, përvujtëri dhe përkushtim kësaj thirrjeje që bëhet mision në emër të Kishës”. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit..

                                           SHUGURIMI DIAKONAL I SEMINARISTIT ZEF MARKUT

Në një atmosferë lutjeje dhe përshpirtërie është përshkuar dita e shtunë, datë  28 tetor 2017, në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, u mblodhën shumë besimtarë të ardhur nga vende të ndryshme të territorit të Dioqezës së Sapës, meshtarë e motra, familjarë dhe miq, për të bashkëndarë gëzimin e seminaristit Zef Marku, i cili mori urdhërin e diakonatit.

Këtë moment të rëndësishëm drejt rrugës së meshtarisë, e shoqëroi me vendosjen e duarve të Shkëlqesisë së tij, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili fillimisht tha se kemi arsye për të shprehur gëzimin së bashku me psalmistin duke thënë: “Sot është dita që na e dhuroi Zoti”. Më pas ipeshkvi në homelinë e rastit vuri theksin mbi rëndësinë e shugurimit diakonal, që do të thotë shërbëtor. “Në pjesën e Ungjillit që sapo dëgjuam na paraqitet në mënyrë të qartë se, si Zoti ynë Jezu Krishti tërhiqej herë pas here në mal për t’u lutur. Ungjilli i sotëm thekson se Jezusi kalon natën duke ju lutur Hyjit, dhe pas kësaj marrëdhënieje të ngushtë me Atin e vet në të zbardhur të dritës thërret dishepujt e vet, dymbëdhjetë ndër të cilët edhe Shën Simonin dhe Shën Juden e Jakobit të cilët Kisha shenjte i Kremton sot.

Në përfundim, imzot Simoni iu drejtua Zefit duke thënë: "Bir fort i dashur që po e merr urdhrin e diakonatit, ne të gjithë, së bashku me ty i lutemi Zotit që të dhurojë hirin e duhur për të kuptuar madhështinë dhe bukurinë e asaj që po fillon dhe për t’iu përgjigjur me bujari, përvujtëri dhe përkushtim kësaj thirrjeje që bëhet mision në emër të Kishës. Kujtohu gjithmonë se emri yt dhe fytyra jote ishte në mendjen dhe zemrën e Jezusit ndërsa Ai po lutej në mal, edhe thirrja jote sikurse ajo e dishepujve është fryt i atyre netëve që Jezusi ka jetuar në lutje me Atin e vet".

Menjëherë pas homelisë u mbajt riti i shugurimit diakonal, përmes të cilit i zgjedhuri dënjohet të pranohet në urdhrin diakonal, duke u zotuar me premtimet që kisha nënë i parashtron.

Në fund, diakoni i saposhuguruar Zef Marku, falënderoj përzemërsisht të gjithë të pranishmit, që duke marrë pjesë në gëzimin e shugurimit tim për diakon tha ai, i keni dhuruar ngjyrë të veçantë kësaj ditë. Faleminderit shumë ipeshkvinjëve të mi, eprorëve dhe edukatorëve, kolegëve të mi, për afërsinë, mbështetjen dhe kurajon që me keni dhanë në ecjen time në seminar. Më keni përcjellë gjatë formimit tim shpirtëror e intelektual. Keni qenë një pikë mbështetje për të gjitha vështirësitë dhe gëzimet e mia. Lavdi, falënderimi dhe ndera  i qoftë Hyjit, Atit të Zotit tonë Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjtë për Hiret dhe Bekimet që ndau dhe ndan në jetën time, sidomos sot kur Hiri i tij më lartësoj në rendin e diakonit që përmes kësaj shërbesë të behem shëmbëllesë më e gjallë e Krishtit, Zot.    

Nga Vau-Dehes Violeta Marashi








All the contents on this site are copyrighted ©.