2017-10-30 13:40:00

Koreja e Veriut: Papa punon për një botë pa armë bërthamore


“Papa Françesku punon me vendosmëri për promovimin e kushteve të nevojshme për një botë pa armë bërthamore”: kështu deklaroi sot drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, i cili theksoi edhe se nuk është fjala për ndërmjetësim të Selisë së Shenjtë në marrëdhëniet ndërmjet Koresë së Veriut e SHBA-ve, siç ka shkruar ndonjë gazetë italiane.

Nuk është fjala për ndërmjetësim në çështjen Kore e Veriut - SHBA

Që në marsin e kaluar, kujtoi Burke, Ati i Shenjtë pati folur për këtë problem në mesazhin për konferencën e OKB-së, e cila synonte krijimin e një mjeti juridik të detyrueshëm për të zhdukur gradualisht krejt armët bërthamore në botë. “Pikërisht për këtë – shtoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit – javën e ardhshme (më 10 e 11 nëntor), do të mbahet një konferencë e rëndësishme botërore me titull ‘Perspektivat për një botë të lirë nga armët bërthamore dhe për zhvillimin e gjithanshëm’, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Por – nënvizoi ai – nuk është e vërtetë se flitet për ndërmjetësim nga ana e Selisë së Shenjtë”.

Më 10 e 11 nëntor, 11 Çmime Nobel në Vatikan

Takimi ndërkombëtar për çarmatosjen bërthamore do të mbledhë në Vatikan 11 personalitete, që kanë marrë Çmimin Nobel për Paqen, ekspertë, politikanë e aktivistë të nivelit të lartë. Selia e Shenjtë do të përfaqësohet nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin dhe nga kreu i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm, kardinali Peter Turkson. Takimin do ta hapë vetë Papa Françesku.

Mesazhi i Papës për Konferencën e OKB-së

Në Mesazhin për konferencën e OKB-së, Papa Françesku shkruante se “objektivi përfundimtar i zhdukjes së plotë të armëve bërthamore është sfidë, por edhe detyrim moral e humanitar. Konkretisht, duhet promovuar reflektimi mbi një etikë për paqen e sigurinë shumëpalëshe, që shkon përtej ‘frikës’ dhe ‘izolimit’ mbizotërues në debatet e sotme”.

“Arritja e një bote pa armë bërthamore kërkon procese afatgjata – nënvizonte Ati i Shenjtë – bazuar mbi vetëdijen se ‘gjithçka është e lidhur’, në këndvështrimin e ekologjisë së gjithanshme. Fati i përbashkët i njerëzimit kërkon të përforcohet, me realizëm, dialogu dhe të krijohen e të konsolidohen mekanizma besimi dhe bashkëpunimi, të afta të formojnë kushtet për një botë pa armë bërthamore. Ndërvarja dhe globalizimi në rritje tregojnë se përgjigjja që i japim kërcënimit të armëve bërthamore duhet të jetë kolektive dhe konsensuale, bazuar mbi besimin e ndërsjelltë. Ky i fundit mund të arrihet vetëm përmes dialogut, i cili duhet të orientohet sinqerisht drejt së mirës së përbashkët e jo drejt mbrotjes së interesave të fshehta o të veçanta; ky dialog duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës për këdo: vende bërthamore, vende që nuk kanë armë bërthamore, sektorë ushtarakë dhe privatë, bashkësi fetare, shoqëri civile, organizata ndërkombëtare.

Në këtë përpjekje – përfundonte Papa Françesku – duhet të shmangim ato forma të paditjes së njëri-tjetrit e të polarizimeve, që e pengojnë dialogun në vend që ta inkurajojnë. Njerëzimi e ka aftësinë për të punuar krah për krah në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët; e kemi lirinë, inteligjencën dhe aftësinë për të udhëhequr e drejtuar teknologjinë, si edhe për ta kufizuar pushtetin tonë, për ta vënë në shërbim të një lloji tjetër përparimi: më njerëzor, më shoqëror e më të gjithanshëm”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.