2017-10-29 14:21:00

Papa Françesku: të krishterët t’i rijapin shpirt Evropës


“I pari e ndoshta më i madhi kontribut që mund t’i sjellin të krishterët Evropës së sotme, është t’i kujtojnë se nuk përbëhet nga  numrat e institucionet, por nga njerëzit”. Ky është njëri nga fragmentet kryesore të fjalimit të gjatë e të hollësishëm të Papës, drejtuar 350 pjesëmarrëve në konferencën “(Re)Thinking Europe”- “Të rimendohet Evropa”, mbledhur në Sallën e Re të Sinodit. Politikanë, kardinaj, ipeshkvij, ambasadorë, përfaqësues të lëvizjeve dhe emërtime të tjera të krishtera, reflektuan së bashku këto ditë, në takimin e organizuar nga Comece, Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian.

Papa u tregoi rrugën: themeli i Evropës janë “njerëzit” e “bashkësitë” që, si të krishterë, dëshirojnë e mund të ndihmojnë për ta ndërtuar”. Tullat janë “dialogu, përfshirja, solidariteti, zhvillimi, paqja”. Në fjalimin e tij të pestë kushtuar Evropës dhe Bashkimit Evropian, Françesku kujton se një nga vlerat themelore, që solli krishterimi, është pikërisht “kuptimi i njeriut, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit”. Konkretisht, për shembull, Shën Benedikti pati për njeriun një koncept rrënjësisht të ndryshëm nga ai i klasicizmit greko-romak e ai, edhe më i dhunshëm, i pushtimeve barbare: për të, njeriu nuk ishte më thjesht qytetar, e as shërbëtor i pushtetit të kohës, aq më pak, mall për t’u shkëmbyer, i paracaktuar nga fati vetëm për punë. Për Benediktin, nuk ka role, po njerëz, ndërsa sot, për fat të keq, vërehet gjithnjë më shpesh se nuk bëhet më fjalë për punëtorë, por për tregues ekonomikë; nuk flitet për emigrantë, por për kuota”: gjithçka shikohet si çështje shifrash.

Ndërsa kur ke fytyrë, detyrohesh të kesh edhe përgjegjësi - kujtoi Papa – e, prej këndej, të krishterët duhet të kujtojnë së pari se Evropa bëhet nga njerëzit e të zbulojnë kuptimin e përkatësisë në gjirin një bashkësie, kundër prirjes për të jetuar në vetminë e Perëndimit, duke e keqkuptuar konceptin e lirisë, si detyrë për të qenë i vetëm. Për mua - pohoi Papa - kjo është diçka tejet e rëndë. Të krishterët e dinë se identiteti i tyre është kryesisht “relacional” e se familja mbetet vendi kryesor i këtij zbulimi. E, si bashkim i harmonishëm i ndryshimeve ndërmjet burrit e gruas, sa më shumë krijon jetë e di t’u hapë zemrën të tjerëve, aq më e vërtetë bëhet, e aq më e thellë. Sepse bashkësia është plot jetë, vetëm nëse di t’i pranojë larmitë, të krijojë jetë, punë, novacion e kulturë të re.

Nga Atlantiku - në Urale; nga Poli i Veriut - në Mesdhe, Evropa duhet të jetë vend dialogu, siç ishte në një farë mënyre, agorà e lashtë, jo vetëm hapësirë ekonomike, por zemër e politikës. Prandaj, në vijim, Papa ftoi të vlerësohet roli pozitiv që ka feja në shoqëri, siç  mund të jetë dialogu  ndërfertar i të krishterëve e myslimanëve në Evropë. Françesku tërhoqi vëmendjen “për t’u ruajtur nga një farë paragjykimi laicist”, akoma në kulm që - kujtoi - nuk arrin ta perceptojë vlerën e fesë në sferën publike e i pëlqen ta ngujojë vetëm në atë private. Por kështu vendoset mbisundimi i  një farë mendimi unik, tejet i përhapur sot në marrëveshjet ndërkombëtare i cili, në pohimin e identitetit fetar, shikon rrezikun më serioz për hegjemoninë e vet e arrin deri atje, sa të favorizojë kundërvënien, aspak të natyrshme, ndërmjet së drejtës për liri fetare e të drejtave të tjera themelore.

Shpesh, pastaj, në politikë, zëri i dialogut zëvendësohet nga ulurimat e turmave për “kërkimin e të drejtave”. Në shumë vende duken formacione populiste ekstremiste. Të krishterët janë të thirrur të favorizojnë dialogun politik e duhet t’i japin dinjitet politikës, parë si shërbimi më i madh që mund t’i bëhet së mirës së përbashkët. “Të jesh prijës sot, kërkon studim, përgatije e përvojë”, sintetizoi Papa, duke vënë theksin  edhe mbi nevojën e përgatitjes të përshtatshme, pa të cilën prijësi sigurisht, mund të prijë vetëm drejt greminës!

Evropa, pastaj, duhet të jetë hapësirë përfshirëse, natyrisht, pa harruar të vlerësojë larmitë. Në këtë perspektivë, emigrantët janë pasuri, më shumë se barrë e nuk mund të përjashtohen sipas qejfit. Nga ana tjetër, Papa kujtoi se qeveritarët duhet ta trajtojnë me kujdes çështjen e emigracionit. Jo mure - pra - por proces sipas rregullave, sepse pa rregulla, nuk ka as proces. E, nga ana e tyre, edhe emigrantët duhet ta respektojnë e ta asimilojnë kulturën e kombit, që i pranon në gjirin e vet.

Të përpiqesh për bashkësi përfshirëse, do të thotë të ndërtosh një hapësirë solidariteti e jo një tërësi “grupesh të vogla, që i bashkojnë vetëm interesat e ngushta”. Duhet pasur kujdes për më të ligshtit e për besëlidhjen ndërmjet breznive. Duke u nisur nga vitet ’60  të shekullit të kaluar, ndjehet fort konflikti i thellë ndërmjet breznive - kujtoi Papa - E kjo – shpjegoi - ndodh  jo vetëm sepse në Evropë lindin pak fëmijë - dimri ynë demografik, ky -  e tepër janë ata, të cilëve u mohohet e drejta për të lindur, “por edhe sepse breznitë e para tregohen të paafta për t’u dorëzuar të rinjve mjetet materiale e kulturore për përballimin e  ardhmërisë”.

Evropa jeton një farë “defiçiti të kujtesës” - sintetizoi Françesku - e duhet të rizbulojë vlerën e së kaluarës së vet, për të pasuruar me të të sotmen e për t’u dorëzuar pasardhësve një ardhmëri plot me shpresë. Prej këndej, e sotmja tregon se shumë të rinj  ndjehen të përhumbur, si njerëz pa rrënjë e pa perspektiva. Ndërsa edukimi duhet të përfshijë mbarë shoqërinë!

Evropa, pastaj, është e thirrur të jetë gurrë e zhvillimit të gjithanshëm, siç  na e kujton i lumi Pali VI. “Duhet punë e duhen edhe kushte të përshtatshme për punë” - pohoi akoma Papa. Një shembull mund të jenë sipërmarrësit e krishterë të cilët, në shekullin e kaluar, e kuptuan se suksesi i nismave të tyre varej nga krijimi i kushteve të denja për punë: këto nisma janë ilaçi më i mirë për “globalizimin pa shpirt”, që krijoi aq shumë shfrytëzim e varfëri. U takon qeverive detyra për ta riaktivizuar rrethin virtuoz që, duke u nisur nga investimet në favor të familjes e të edukimit, krijon mundësinë e zhvillimit paqësor të mbarë bashkësisë civile.

Tulla e fundme për ngritjen e kësaj ndërtese, është e drejta për paqe. Por logjikat e “veçanta nacionale” krijojnë rrezikun t’i zhbëjnë ëndrrat  guximtare të Etërve themelues - kujtoi Françesku. - Prej këndej, të krishterët në Evropë janë të thirrur të bëhen nxitës të kulturës së paqes, e kjo kërkon “dashurinë për të vërtetën, pa të cilën nuk mund të ketë marrëdhënie të mirëfillta njerëzore, si dhe kërkimin e drejtësisë, pa të cilën paudhësia bëhet normë sunduese. Evropa do të impenjohet për paqen në atë masë me të cilën nuk do ta humbasë shpresën. Duhet, prandaj, të ndiqet ëndrra e Etërve themelues të një Evrope të bashkuar e të harmonishme, parë si bashkësi popujsh, të dëshiruar ta shijojnë së bashku fatin  e njerëzve, që punojnë për zhvillimin e për paqen”.

Të krishterët janë të thirrur t’i rijapin shpirt Evropës, ashtu si pati bërë Shën Benedikti: Shenjti nuk pushtoi hapësira, “por krijoi një lëvizje ngjitëse e të pandalur, që riskicoi fytyrën e Evropës,  me bindjen e patundur se nga feja gurron shpresa gazmore, e aftë për t’ia ndryshuar faqen botës”. E Françesku përfundoi duke i bekuar të pranishmit, “popujt tanë” e edhe Evropën.








All the contents on this site are copyrighted ©.