2017-10-29 15:30:00

Françesku: dashuria për njeriun e ndërmjet njerëzve është ëndrra e Zotit


Jezusi e jetoi jetën e vet duke predikuar e duke bërë atë, që vlen me të vërtetë, që është themelore, domethënë, dashurinë. E pohoi me forcë Papa para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e studios së Pallatit Apostolik, që duket mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku theksoi se “dashuria i jep hov e fekonditet jetës dhe udhës së fesë” e se “pa dashuri, si jeta, ashtu edhe feja, mbeten shterpë”.

Duke u ndaluar tek Ungjilli i ditës (krh Mt 22,34-40) në të cilin Mateu Ungjilltar kujton pyetjen tinzake të farizenjve drejtuar Jezusit, domethënë “cili ishte urdhërimi më i rëndësishëm”, Papa shpjegoi lidhjen e dashurisë ndërmjet Zotit e njeriut. Kujtoi përgjigjen e Jezusit: “Do ta duash Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde”. Ti mund të bësh shumë gjëra të mira, të respektosh shumë urdhëra  - vijoi,  duke folur lirisht, Papa - por nëse ti nuk ke dashuri, kjo nuk i duhet gjë kujt.

Duke cituar Librin e Daljes, pohoi edhe një herë se nuk mund ta mbash besën e lidhur me Zotin e njëkohësisht, të keqtrajtosh ata, që duhet t’i mbrosh: vejushën e jetimin, të huajin e emigrantin e të gjithë njerëzit më të vetmuar e më të pambrojtur:

“U krijuam për të dashur e për t’u dashur” – nënvizoi Françesku, duke folur për idealin mahnitës të mishëruar nga Ungjilli i ditës, ideal, që  përkon me dëshirën më të njëmendtë të zemrës sonë.

“Zoti, që është dashuri - vijoi - na krijoi për të na bërë pjesëtarë të jetës së Tij, për t’u dashur prej Tij e për t’i dashur me Të, të gjithë njerëzit. Kjo është ëndrra e Zotit për njeriun”.

Ëndërr e realizueshme vetëm me hirin qiellor, sepse - shpjegoi - kemi nevojë ta marrim në shpirt aftësinë për të dashur, që buron nga vetë Zoti. E është pikërisht dhurimi i Jezusit në Eukaristi, që e bën të mundur, sepse “e marrim Jezusin në shprehjen më të lartë të dashurisë së Tij, kur ia dhuroi vetveten Atit, për shpëtimin tonë”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, përshëndetja drejtuar turmës së madhe të besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Në mënyrë të veçantë, Papa kujtoi Giovanni Schiavo-n, meshtar i Jozefinëve të Murialdos, që u shpall i lum dje, në Caxias do Sul të Brazilit.

I lindur në kodrat viçentine, në fillim të ‘900-tës, u dërgua që kur ishte meshtar i ri në Brazil, ku punoi me zell në shërbim të popullit të Zotit e të formimit të rregulltarëve e rregulltareve. Shembulli i tij - shtoi Papa - na ndihmoftë ta jetojmë plotësisht bashkimin tonë me Krishtin e me Ungjillin. Më pas, duke përshëndetur bashkësinë e Togos në Itali dhe atë të Venezuelës, ia besoi Virgjërës Mari shpresat e ligjshme të këtyre dy kombeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.