2017-10-27 12:14:00

“Mirë se vjen në burg, Papa Françesku!”: film që flet për shpresë


Shtegtim në dëshpërimin, që thithet brenda katër mureve të burgut të Maco, në Ouagadougou, në Burkina Faso. Shtegtim, që merr drejtim të kundërt, sapo nis të flasë Papa Françesku, të ndjehet fort vëmendja e tij për njerëzit që jetojnë pas hekurave të kryqëzuara e që arrin kulmin në “Jubileun e të burgosurve”, më 6 nëntor 2016, me rastin  e Vitit Shenjt të Mëshirës. “Mirë se vjen në burg, Papa Françesku” - është dokumentari i realizuar nga regjisori polak Janusz Mrozowski, paraqitur të martën e kaluar në Filmotekën e Vatikanit.

Përvojë tejet e rëndësishme për regjisorin: “Kur hyra në këtë burg, më prekën thellë kushtet në të cilat jetojnë të burgosurit arfrikanë. Burkina Faso m’i hapi burgjet në mënyrë të pabesueshme, gjë që nuk mund as të përfytyrohet në vende të tjera. Gjëja që shpëton, në këto kushte  çnjerëzore, është pikërisht humaniteti, janë marrëdhëniet ndërmjet rojeve e të burgosurve, e edhe marrëdhëniet ndërmjet vetë të burgosurve, sepse ndjehet fort fryma e vëllazërimit.

Sipas regjisorit polak Janusz Mrozowski, realizimi i filmit u bë i mundur  falë Papës Françesku: “Çka pashë, është se fjala e Papës, që e çova në këtë burg, peshoi fort, qe tepër e rëndësishme për këta njerëz në pranga. U dha shpresë, u dhuroi dashurinë njerëzore të Papës, çoi Zotin në qelitë e këtij burgu. Në këtë film vërehen tri mrekulli; E para është se filmi ekziston, se më bëri të kthehem tek Zoti e se të gjithë spektatorët, për një orë e gjysëm, do ta ndjejnë veten si të ishin vetë Papa Françesku.

Mrekulli tjetër - lutja e myslimanëve për Papën.

Së fundi, filmi do të projektohet në burgun romak Rebibbia pikërisht më 6 nëntorin e ardhshëm, për kujtim të Jubileut të Mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.