2017-10-27 12:01:00

Papa Françesku: puna e pasigurt është imorale, vret dinjitetin


“Pa punë nuk ka dinjitet, por jo të gjitha punët janë të denja e, para së gjithash, është e mira e njeriut”: kështu shprehet Papa në videomesazhin transmetuar me rastin e Javës shoqërore të katolikëve italianë, që filloi dje, në Cagliari. Tema e takimit është “Puna që duam: e lirë, krijuese, e vlefshme e solidare”.

“Ka punë, që e poshtërojnë dinjitetin e njerëzve - kujtoi Françesku - ato që ushqejnë luftërat me prodhimin e armëve, që shesin vlerën e korpit me trafikun e prostitucionit, që shfrytëzojnë të miturit. E fyejnë dinjitetin e punëtorit edhe punët në të zezë, ato që drejtohen nga kaporalati, punët që diskriminojnë gruan e nuk i përfshijnë njerëzit me kufizime”.

Papa denoncoi me forcë edhe punët e pasigurta: “Kjo është plagë e rëndë për shumë punëtorë, që jetojnë të tmerruar përballë rrezikut të humbjes së punësimit. Kam dëgjuar shumë herë të flitet për këtë ankth: ankthin, që të pushton kur mendon se mund ta humbasësh punën nga shtatori në qershor  e nuk ke kurrfarë sigurie nëse do ta kesh edhe shtatorin e ardhshëm. Pasiguri e plotë! E kjo është imorale! Kjo vret: vret dinjitetin, vret shëndetin, vret familjen, vret shoqërinë. “Puna në të zezë e puna e pasigurt vrasin”.

Vjen, pastaj, edhe shqetësimi për punët e rrezikshme, që dëmtojnë shëndetin, të cilat çdo vit shkaktojnë, në Itali, qindra të vdekur e të gjymtuar, shqetësimi për shfrytëzimin e punëtorëve dhe punën e të miturve. Mendimi i Papës shkoi edhe tek të papunët, që kërkojnë punë por nuk e gjejnë, tek njerëzit që e kanë humbur çdo shpresë për punë e nuk kanë më pikë force as ta kërkojnë. Shkoi edhe tek njerëzit që punojnë me hope,  ndonjë muaj, duke e shtyrë jetën në varfëri të thellë.  Atyre - theksoi Papa - u them: mos e humbisni besimin. E këtë ua them edhe atyre, që jetojnë në Jug të Italisë, në kushte edhe më të vështira, Kisha punon për një ekonomi në shërbim të njeriut, që i ngushton pabarazitë e ka si qëllim punën për të gjithë.

Kriza ekonomike botërore - nënivizoi Papa - nisi si krizë e financës, pastaj u shndërrua në krizë ekonomike punësimi. Kriza e punës është krizë ambientale e shoqërore njëherësh (krh Enc. Lëvduar qofsh, 13) Sistemi ekonomik vë në plan të parë konsumin, pa u shqetësuar fare për dinjitetin e punës e as për ambientin. Por kështu është njëlloj si të shkosh me një biçikletë, që i ka gomat të shfryra: është e rrezikshme! “Dinjiteti dhe mbrojtja lëndohen, kur punëtori shikohet si një vizë në buxhet, kur mbyllen veshët, për të mos e dëgjuar britmën e të përjashtuarit”.

Nga kjo logjikë  - pohon Papa - nuk shpëton as administrata publike, kur  punësimi bëhet me sipërmarrje, duke ndjekur kriterin  e  uljes kulmore të shpenzimeve, pa marrë fare parasysh dinjitetin e punës, as përgjegjësitë ambientale e fiskale të sipërmarrjes. “Duke besuar se sigurojnë, kështu, kursime e rendiment, tradhtojnë misionin e tyre shoqëror në shërbim të bashkësisë”.

Por nuk mungojnë as shenjat e shpresës, të cilat, ashtu si pylli, rriten pa bërë zhurmë e na mësojnë dy virtyte: “T’u shërbesh njerëzve, që kanë nevojë” e “të formosh bashkësi, në të cilat bashkimi vlen më shumë se konkurenca”. Konkurenca: këtu është sëmundja e meritokracisë… Gjë e bukur të shikosh se inovacioni shoqëror lind edhe nga takimi e nga marrëdhëniet e se jo të gjitha pasuritë janë mall: për shembull, “besimi, nderimi, miqësia, dashuria”. “Në botën e punës - pohon Papa - bashkimi duhet të ketë epërsi mbi konkurencën”.

Kjo, thirrja e Françeskut: “Asgjë nuk duhet t’i kundërvihet së mirës së njeriut dhe kujdesit për shtëpinë e përbashkët, shpesh herë të përçudnuara nga modeli i zhvillimit, që prodhoi një borxh të rëndë ekologjik. Novacioni teknologjik duhet të udhëhiqet nga ndërgjegjja e nga parimet e ndihmës dhe të solidaritetit. Roboti duhet të mbetet mjet e jo të bëhet idhull i ekonomisë në duart e njerëzve të pushtetshëm: duhet t’i shërbejë njeriut dhe nevojave të tij njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.