2017-10-26 13:09:00

Papa në Tv2000: Zoti është i madh, ecën me ty


“Zoti është i madh, është Zot i lavdisë, ecën me ty e të jep edhe akullore, kur është nevoja”. Këtë pohoi Papa në pjesën e parë të programit “Ati ynë”, drejtuar nga dom Marco Pozza, transmetuar mbrëmë në Tv2000, duke treguar një ngjarje nga fëmijëria e tij, kur i hoqën tonsilet dhe i dhanë akullore, menjëherë pas operacionit.

Françesku dialogon me kapelanin e ri të burgut të Padovës, don Marco Pozza në hyrje të çdo pjese. Programi, lindur nga bashkëpunimi ndërmjet Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikimin dhe Tv2000,  do të ketë nëntë pjesë, çdo të mërkurë. Në çdo pjesë don Marco do të takojë edhe personalitete laike të njohura të botës së kulturës e të spektaklit. Nga ky takim i Papës me don Marco-n lindi edhe libri “Ati ynë” i Papës Françesku, botuar nga Rizzoli dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit, që do të dalë në Itali më 23 nëntor.

“Qiejtë - vijon Papa në takimin me don Marco-n - na kujtojnë menjëherë madhështinë e Zotit, gjithëpushtetin e Tij. Ai është i pari; Ai, i madhi; ai na bëri ne. Qiejtë janë pafundësia e pushtetit të Tij, e dashurisë së Tij, bukurisë së Tij. E ai është Zoti i Abrahamit, që të afrohet, të thotë ‘ngreju, shiko, ec përpara, beso, shpreso, mos u ndal!”. E ky Zot, edhe i afërt – të mendojmë për Sinain - Zot i lavdisë, i dritës, i tymit, i resë, na bën ta sodisim madhështinë e Tij: e kjo është e vështirë të kuptohet. Ti duhet, unë duhet, ne duhet të themi “Atë, që je në qiell”, por jo me kuptim përuljeje.

Kujtoj një herë - vijoi Papa - kur isha vetëm pesë vjeç, ndërmjet pesë e gjashtë vjetëve, u operova në fyt, nuk e di si thuhet në italisht kur të presin…në spanjisht amigadalas (tonsilet). Asokohe ky operacion bëhej pa anestezi e të tregonin akulloren, që do ta shijoje kur të kryhej. Fillimisht të vinin diçka në gojën e hapur, të merrte infermierja, ashtu me gojë hapur, e mjeku, me gërshërë, t’i priste të dyja tonsilet pa anestezi. Pastaj të jepnin akulloren e mbaronte puna. Kur dola, nuk mund të flisja nga dhembja e babai thirri një taksi e shkuam në shtëpi. Kur arritëm në shtëpi, babai  pagoi e unë mbeta i habitur. Pse e pagoi babai atë burrin? Pyetja e parë, që i bëra tim eti më pas, ishte: “Më thuaj, pse e pagove atë zotërinë e makinës? A nuk ishte makina jote?”. Unë mendoja se babai im ishte i zoti i të gjitha makinave të qytetit. Kjo përvojë e një fëmije para atit, që e mëson, na bën të kuptojmë, pastaj, lidhjen me madhështinë e Zotit, por edhe me afërsinë. Zoti është i madh, Zot i lavdisë, por është edhe ai që ecën me ty e të jep edhe akullore, kur është e nevojshme!








All the contents on this site are copyrighted ©.