Nga 7 dhjetori, Sheshi i Shën Pjetrit do të zbukurohet me Betlehemin e me Pemën e Krishtlindjes, siç ndodh çdo vit para kësaj feste të madhe të krishterë: lindjes së Birit të Zotit, Shëlbuesit të njerëzimit. Përurimi do të bëhet me një ceremoni të shkurtër pikërisht atë ditë, në orën 16.30. Simbolet e Krishtlindjes, që tërheqin gjithnjë me mijëra njerëz, do të mund të admirohen në shesh deri natën e së dielës, 7 janar 2018, kur do të përkujtohet Pagëzimi i Zotit. Njoftimin e jep Guvernatorati i Shtetit të Vatikanit.
Kësaj radhe, Betlehemin e ofron Abacia territoriale e Montevergine-s, në Itali. Vepra e artit, realizuar në stilin e ‘600-ës, sipas traditës më të lashtë napolitane, do të mbulojë një sipërfaqe prej 80 metrash katrore e do të lartohet deri në 7 metra. Zejtarët napolitanë janë frymëzuar nga veprat e mëshirës e kanë punuar 20 figura prej terrakote shumëngjyrëshe, me sy kristali dhe veshje stofi.
Ndërkaq, Pema e Krishtlindjes, njofton nota e Guvernatoratit, do të vijë nga kryedioqeza e Elk-ut në Poloni. Do të jetë një bredh i kuq, 28 metra i lartë, me perimetër prej 10 metrash në bazë. Do të pritet nga Roja Pyjore lokale, sipas kritereve ambientale, e do të udhëtojë për rreth 2 mijë kilometra, përmes qendrës së Evropës.
Zbukurimet e pemës u janë besuar artistëve të veçantë. Janë të gjithë fëmijë të shtruar në repartet onkologjike të disa spitaleve italiane, që, së bashku me prindërit, kanë marrë pjesë në një program qeramiko-terapie në laboratoret e ngritura në këto spitale nga Fondacioni “Kontesha Lene Thun”, organizatë jo fitimprurëse (ojf). Sferat e yjet prej argjile, realizuar prej tyre, janë riprodhuar më vonë në material sintetik për zbukurimin e pemës së Krishtlindjes. Këtë vit, artistëve të vegjël u shtohen edhe bashkëmoshatarët e zonave të qendrës së Italisë, ku ka rënë tërmet, në veçanti, ata, që bëjnë pjesë në dioqezën Spoleto-Norcia.
Paraditen e 7 dhjetorit, delegacioni polak, ai napolitan dhe një grup përfaqësuesish të artistëve të vegjël do të priten në audiencë nga Papa Françesku.
All the contents on this site are copyrighted ©. |