2017-10-24 11:41:00

Prof. Zef Chiaramonte: 80 vjetori i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve, vatër identiteti kombëtar e shpirtëror.


Eparkia e Horës së Arbëreshëve, që kremton 80-të vjetorin e themelimit, është një vatër e identiteti të fortë kombëtar e shpirtëror. Me prof. Zef Chiaramonte, flasim mbi programet që mbahet për jubileun e 80-vjetorit të Eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe përshkimin e rrugëtimit historik.

Eparkia a dioqeza e Horës së Arbëreshëve, në Sicili, kremton 80-të vjetorin e themelimit. Kujtojmë se Eparkia e Horës (qytezës) së Arbëreshëve u themelua me Vulën Papnore “Apostolica Sedes” të  26 tetorit të vitit 1937 nga Papa Piu XI. Ky institucion kishtar u krijua për besimtarët që ndjekin ritin kishtar bizantin. Me Vulën e sipërmendur Hora e Arbëreshëve u bë seli Eparkiale (dioqezane) dhe Kisha e shën Dhimitrit u ngrit në dinjitetin e Kishës Katedrale.  Kjo Eparki, përveç Eparkisë tjetër arbëreshe në Ungro të Kalabrisë, përbëhet prej pesë vendbanime të arbëreshëve në Sicili.

Po kujtojmë se këto dy Eparki (dioqeze) kishtare të riti bizantin, janë kurorëzimi i një historie shekullore të Arbëreshëve, të cilët vetëm duke u nisur nga shekulli XVIII arritën të kishin nga një despot (ipeshkëv) të tyre, i cili nuk ishte ipeshkëv ordinar, do të thotë nuk drejtonte komunitetin kishtar sipas të drejtave kanonike, por kujdesej vetëm për shugurimin e klerit dhe mbrojtjen e traditës kulturor e kishtare arbëreshe. Pastaj, nga viti 1919 komuniteti arbëresh i Kalabrisë fiton Eparkiën a Dioqezën me despotin(ipeshkvin) ordinar me seli në Ungro, ndërsa ajo e Horës së Arbëreshëve e fiton këtë të drejtë kishtare në vitin 1937.

Kur flasim për botën arbëreshe, në aspektin kishtar, duhet përmendur edhe komunitetin e murgjëve bazilianë, ku numri më i madh i tyre përbëhet prej murgjëve arbëresh. Ky manastir murgar është në lidhje me dy Eparkitë arbëreshe, ngase të tria këto njësi kishtare i takojnë traditës kishtare bizantine.

Mirënjohja kishtare e Arbëreshëve nga ana e Selisë së Shenjtë të Romës, është vlerësim i një historie 500 vjeçare të vëllezërve arbëreshë, nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbe, kur të kërcënuar nga pushtuesi otoman, u detyruan të largoheshin nga Atdheu, për arsye kombëtare e fetare. Që nga ajo epokë, historia e arbëreshëve u zhvillua në Itali deri në ditët tona, duke qëndruar gjithmonë besnik ndaj Atdheut e ndaj Selisë së Shenjtë, e duke dhënë edhe një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën kulturore e atdhetare.

Në vitin 1999 Arbëreshët e Italisë u njohën me ligj shtetëror si pakicë kombëtare nga Republika e Italisë, kurse nga pikëpamja fetare, e sipas prof. Zef Chiaramonte-s ushqejnë aspiratën për t’u bërë Mitropoli kishtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.