E Lumja Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit shqiptar, në kohën e regjimit
komunist në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, më 24 shtator, kujtojmë përvjetorin e martirizimit
të së Lumes shqiptare, Marie Tucit.
Rishtarja stigmatine Maria Tuci (Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928-Shkodër, 24.10.1950): u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e Martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme. Pra, kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 tetor të vitit 1950 në Shkodër.
E Lumja e Zotit, Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër të Maries.
Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 tetor të vitit 1950.
Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.
Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet për shfarosjen e katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen. U shpall e Lume, së bashku me 28 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, në Shkodër më 5 nëntor 2016.
All the contents on this site are copyrighted ©. |