2017-10-22 08:30:00

Dita Botërore Misionare. Kardinal Filoni: misioni në Mijëvjeçarin e Tretë


Kisha Katolike kremton sot Ditën e 91-të Botërore Misionare. Tema për të cilën Papa Françesku e ka ftuar të reflektojë këtë vit, është: “Misioni në zemrën e fesë së krishterë”.

         Në një popullsi botërore prej më se 7 miliard vetësh, më se 1 miliard janë katolikë, gjithnjë në rritje në të gjitha kontinentet, përveç Evropës. Këtyre njerëzve u drejtohet Kisha për t’u kumtuar gjithnjë Ungjillin, i cili është po ai, sepse dashuria e Krishtit për njerëzimin nuk ndryshon. Por ndryshon misioni i Kishës, e cila përballet me gjendje e sfida gjithnjë të reja, nga shekullarizimi i vendeve perëndimore në pengesat e vështirësitë e të krishterëve në vendet me shumicë myslimane apo të ndonjë feje tjetër; nga zonat gjeografike të Amazonës, ku edhe zhvendosjet janë problematike, në rrezikun që vjen nga plakja e meshtarëve dhe e rregulltarëve e nga mungesa e risimit të tyre.

         Në këtë situatë, prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni tregohet i bindur se misioni i Kishës “është para së gjithash, vepër e Hirit të Tënzot” dhe pastaj, fryt i punës së dishepujve, që e vënë Krishtin e jo vetveten në qendër të jetës, siç kërkon Papa Françesku. Në një intervistë për “Vatican Insider”, kardinali shpjegon si ka ndryshuar misioni i Kishës në Mijëvjeçarin e Tretë.

         “Sot, mund të flasim për një Kishë në gjendje të përhershme misioni – thotë kardinali Filoni. Pas më se 50 vjetësh nga publikimi i dokumentit konciliar ‘Ad gentes’ (1965), koncepti i misionit ka ndryshuar shumë: është zgjeruar edhe në fushën sociologjike e nuk i referohet më vetëm disa meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve, të thirrur për të shkuar në toka të largëta. Çdo i pagëzuar, në sajë të pagëzimit, është misionar. Përveç kësaj, Papa Françesku, në Nxitjen Apostolike ‘Evangelii gaudium’ përdor termin ‘mision’ me një kuptim mjaft të gjerë, duke kapërcyer shprehjet e përdorura në dokumentet e mëparshme papnore, si ‘missione ad gentes’, ose ‘ungjillëzim i ri’. Përfituesit e këtyre risive janë të gjithë të krishterët, të cilët, për hir të identitetit të tyre si bij të Zotit, marrë përmes Pagëzimit, janë misionarë. Ndërsa në të kaluarën, misioni lidhej me bujarinë e pak ‘të dërguarve’, në ‘Evangelii Gaudium’ nënvizohet se e gjithë Kisha e Zotit është ‘në gjendje misioni’. E sot, veprimtaria misionare është termometri i vetë gjallërisë dhe i frytshmërisë së Kishës”.

         Ndryshon pra, interpretimi i misionit, pavarësisht se përmbajtja e tij mbetet e njëjtë: t’i kumtohet botës dashuria e Zotit për njeriun, zbuluar në Krishtin deri në flijimin e Tij në kryq. Tetori i vitit 2019 është shpallur nga Papa Françesku një muaj i veçantë misionar, “i jashtëzakonshëm” mund të themi. E kardinali Filoni shpjegon në intervistë se pikënisja është kremtimi i 100-vjetorit të enciklikës “Maximum Illud” të Benediktit XV, e para e enciklikave misionare të shekullit XX.

         “Edhe sot – vëren kardinali – është tekst themelor për të kuptuar ungjillëzimin. Papa i bënte thirrje për herë të parë bashkësisë së besimtarëve të ndjehej përgjegjëse për misionin. Njëkohësisht, njihte vlerat e pranishme në fetë e tjera të botës, duke braktisur çdo ide për ndonjë ‘fitore’ mbi to e duke folur për vende e popuj, të cilëve u duhej çuar Ungjilli. Magjisteri i Kishës – vijon shpjegimin kardinali Filoni – ofroi më vonë kontribute të tjera si dekreti konciliar ‘Ad gentes’, nxitja ‘Evangelii Nuntiandi’ e Papës Pali VI, enciklika ‘Redemptoris missio’ të Gjon Palit II, deri tek ‘Evangelii Gaudium’ e Papës Françesku. Duke u nisur nga ndërgjegjja dhe nga përgjegjësia misionare e çdo të pagëzuari, muaji misionar do të ndahet në javë tematike e, në çdo anë të botës, besimtarët duhet të gjejnë një mënyrë të veçantë për ta kremtuar. Do të jetë, sigurisht, një çast feste e gëzimi ungjillor për gjithë Kishën në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.