
“Duhet guxim për ta thënë Atynën. Duhet guxim! Them: filloni ta quani ‘baba’ e
të besoni vërtet se Zoti është Ati, që më shoqëron, më fal, më jep bukën, është i
vëmendshëm për gjithçka shikoj”. Kështu shprehet Papa Françesku në intervistën
për don Marco Pozza-n, teolog dhe kapelan në burgun e Padovës. Intervista do të transmetohet
në programin “Ati ynë” në televizionin e Kishës Katolike në Itali, TV2000,
duke filluar nga 25 tetori, çdo të mërkurë, në orën 21.00.
“Themi se jemi
të krishterë, se e kemi një Atë në qiell – vijon Papa në intervistë – por jetojmë,
nuk po them si kafshë, por si njerëz që nuk i besojnë as Zotit, as njeriut; pa fe;
duke bërë keq; jo në dashuri, por në urrejtje; në konkurrencë, në luftë. A është i
shenjtëruar emri i Atit ndër të krishterët, që luftojnë mes tyre për pushtet? A shenjtërohet
në jetën e atyre, që paguajnë sikarë për t’u liruar nga ndonjë armik? A shenjtërohet
në jetën e atyre, që nuk kujdesen për fëmijët? Jo, aty nuk shenjtërohet emri i Zotit”.
Ja një pjesë nga intervista:
Programi, i lindur nga bashkëpunimi i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin
dhe Tv2000, ndahet në nëntë emisione, gjatë të cilave, don Marco Pozza interviston
edhe personazhe të njohura laike të botës italiane të kulturës e të spektaklit, si
Erri De Luca, Maria Grazia Cucinotta e Flavio Insinna. Lutja “Ati ynë”, që vetë Krishti
u mësoi dishepujve të vet, interpretohet edhe përmes historive e dëshmive prekëse
si ato të ish-nxënësve të don Milanit, ajo e familjes së një fëmije me sëmundje të
rrallë, ajo e një murgeshe të klauzurës e shumë të tjera.
Tetë emisionet e para të programit “Ati ynë” fillojnë me fjalët e Papës,
që ndiqen nga biseda e don Marco-s me një të ftuar, ndërsa në emisionin e fundit transmetohet
biseda e plotë e Atit të Shenjtë me kapelanin e burgut të Padovës. Takimi
me Papën Françesku, nënvizon don Marco Pozza në mikrofonin tonë, ka qenë çast hiri
i veçantë. Por si e shpjegoi Papa Atynën?
Ma transmetoi
si t’ia kisha kërkuar tim gjyshi. Ma tregoi përmes anekdotave, episodeve të vogla
të jetës, përmes një teologjie, që e parfumon jetën. Vërej se të varfërit e kuptojnë
fluturimthi intuitën e tij etiologjike [të gjetjes së shkaqeve]. Nga ana tjetër, kjo
përshkruhet edhe në Ungjill: farisenjtë nuk kuptonin, të varfërit dashuroheshin. Pra,
është një “Atynë” e mishëruar në jetën e përditshme e në Kishën e shoqërinë, në të
cilën jetojmë.
Programi ka në qendër tetë fjalë e histori njerëzish të njohur e të panjohur. Na
tregoni pak për të…
Sigurisht, isha
mësuar me lutjen “Ati ynë”, nuk më thoshte më asgjë. Kjo është blasfemi për një prift.
Atëherë, m’u desh të bëja këtë operacion, që e kam parë ta bëjë tim atë, i cili është
mekanik: m’u desh ta çmontoj Atynën. Prej këtij çmontimi dolën tetë fjalë: Atë, emër,
Mbretëri, vullnet, bukë, faje, tundim dhe i keq. Vura re se janë tetë fjalë laike.
Përmes këtyre tetë fjalëve jam përpjekur të bisedoj me tetë personazhe “pop”, në kuptimin
që janë të mirënjohur. Përmes mosbesimit të tyre, përmes udhës së vështirë të fesë,
tregojnë ç’duan të thonë ato fjalë. Pastaj, kam shkuar të gërmoj në histori anonime.
Për mua, kjo do të thotë të shkoj nëpër bodrume, të rrëmoj poshtë tapeteve, të hyj
nën tokë, aty ku njerëzit e fshehin jetën e tyre të vërtetë. Kështu lindi ky program,
gjatë të cilit zbulimi më i bukur ka qenë ky: ka njerëz, që nuk arrijnë ta thonë Atynën
krejtësisht, por, në fund të fundit, arritëm të bëjmë diçka të këndshme. Secili tha
një pjesë të vogël e kështu, doli lutja “Ati ynë”. Kjo është Kisha që ëndërroj: një
shumicë zërash mbështetur mbi njëri-tjetrin, që i japin guxim dhe e shoqërojnë njëri-tjetrin.