2017-10-16 13:52:00

Mianmar: të krishterë e budistë presin Papën


Të krishterët e budistët e Mianmarit presin me entuziazëm vizitën e Papës Françesku nga 27 deri më 30 nëntor. Që nga 12 tetori, njofton agjencia katolike Fides, para katedrales së Zojës së Papërlyer në Yangon, është vendosur një manifest i madh me fotografinë e Papës Françesku, që njofton për udhëtimin dhe i jep mirëseardhjen në vend.

“Falenderojmë Zotin dhe Papën Françesku për këtë udhëtim në këtë vend me shumicë budiste – thotë i riu katolik, Zarni Saya, për agjencinë Fides. – Është hera e parë, që presim një papë. Urojmë që prania dhe vizita e tij të shërbejnë për nxitjen e paqes e të pajtimit”.

“Tema e zgjedhur nga Papa si lajtmotiv për udhëtimin – paqja dhe pajtimi – është kuptimplote për të gjithë ne. Shoqëria e Mianmarit ka vuajtur shumë në të kaluarën. Sot, në këtë vend kemi më tepër liri e shpresë, pavarësisht nga sfidat e shumta për t’u përballuar, përfshi edhe çështjen delikate të myslimanëve rohingya të shtetit Rakhine”, vijon i riu.

Ndërkaq, për murgun budist Sucitta, gjithnjë i intervistuar nga Agjencia Fides, “prania e Papës do të dikojë vullnet të mirë tek të gjithë. Shoqëria në përgjithësi mund të gjejë rrugë për risim”.

“Vizita e Papës në vend do të jetë simbol i kujdesit të Zotit për këtë popull, që ka vuajtur për shumë dhjetëvjeçarë në të kaluarën: jam e sigurtë se do t’i inkurajojë të gjithë të punojnë së bashku për begati e zhvillim”, shton Esther Byu, që në të kaluarën, ka qenë Sekretare ekzekutive e Komisionit për gratë në organizmin ekumenik të Konferencës së krishterë të Azisë (CCA).

Sipas programit zyrtar të vizitës, njoftuar nga Selia e Shenjtë, të martën, më 27 nëntor, në Nay Pyi Taw, do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin presidencial, ku Papa do të takohet me presidentin Htin Kyaw dhe me ministren e jashtme Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për Paqen. Pasdite do të mbajë një fjalim për shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik e, pastaj, do të kthehet me avion në Yangon. Paraditen e 29 nëntorit, Ati i Shenjtë do të kryesojë meshën në Kyaikkasan Groun të Yangon-it. Pasdite parashikohen dy takime: i pari, me Këshillin e lartë “Sangha” të murgjërve budistë; i dyti, me ipeshkvijtë e vendit, në katedralen e Yangon-it. Kjo e fundit do të jetë edhe vendi i meshës papnore me të rinjtë, ditën e nesërme, më 30 nëntor, në orën 10. Më pas, nisja për në Bangladesh, ku Papa do të qëndrojë deri më 2 dhjetor.

Popullsia e Mianmarit i kalon 51 milion banorët, të cilët janë kryesisht budistë. Sipas të dhënave qeveritare për vitin 2016, në Mianmar jetojnë 88,9% budistë, 6,3% të krishterë, 2,3% myslimanë, 0,5% hinduistë dhe 0,2% banorë të feve të tjera si: sikh, konfucianë, bahai dhe zoroastrianë. Katolikët arrijnë në rreth 700 mijë vetë, të ndarë në 16 dioqeza. 








All the contents on this site are copyrighted ©.