2017-10-14 00:00:00

Shenjtorët e javës 15 – 21 tetor


E Diel 15 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 15 tetor kalendari përkujton  Shën Terezën e Jezusit, mistikën e madhe spanjolle Tereza de Cepeda y de Ahumada,që lindi në Avilë të Spanjës në vitin 1515.

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (22,1—14) Jezusi e paraqet shëlbimin si një banket martesor. Në gostinë e shpëtimit janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. Para refuzimit të të ftuarve të parë, të privilegjuarve, propozimi u ofrohet të tjerëve. Mirëpo ekziston një kusht për të marr pjesë në festën e dasmës: duhet të kemi veshjen e ceremonisë së martesës, do të thotë të rrimë larg nga mëkati. Shëmbëlltyra e Ungjillit, në njërën anë, trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit, dhe në anën tjetër, temën e shpresës për të marrë pjesë në sofrën qiellore si të ftuar të Hyjit, çka kërkon prej nesh të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur kurdoherë thirrjes së Zotit. 

Të hënën më 16 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Margaritën Maria Alakokë, virgjër. Nga Liturgjia e ditës, Ungjilli na rrëfen se së atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Është vetë Ungjilli – siç shihet – ai që e përcakton këtë të diele temën e reflektimit tonë mbi fjalën e Zotit e kjo temë është urata.

Po këtë të dite, sipas traditës,  Kisha dioqezane e Shkodrës kremtoi sot festën e pajtores qiellore të qytetit, do të thotë kremton festën e Zojës së Shkodrës. Kryedioqeza e qytetit ka nisur prej ditësh, përgatitjen shpirtërore për ketë ditë të shënuar për besimtarët katolikë shkodranë, që është pikërisht nderimi i Nënës Hyjnore Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores qiellore të Shkodrës e mbarë Shqipërisë.

Të martën më 17 tetor, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejet të vështirë të jetës.

Të mërkurën më 18 tetor, kalendari përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve.  Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.

Të enjten më 19 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Palin të Kryqit, pasionist, shën Gjonin e  Brëbëfit e  shën Isakut Joges. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti ia shpall paqen popullit të vet. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.

Të premten më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin dhe shën Vitalin.  Liturgjia e ditës na tregon se dashuria e Zotit është kërkuese. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin.

Të shtunën më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinës, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo.  Liturgjia e ditës pohon: me dashurinë e Zotit është plot toka. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve. Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”

Të dielën e ardhshme më 22 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 22 tetor, kalendari liturgjik përkujton edhe Papën shën Gjon Palin II, shën Donatin nga Fiezole, e shën Dun Skotin.

Liturgjia na kujton se të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës.  Mbetet e paharrueshme thirrja, që Papa Gjon Pali II i drejtoj botës nga froni i Shën Pjetrit ditën kur filloi misionin baritor si pasardhës i kreut të Apostujve: “Mos kini frikë! Hapjani dyert Krishtit!” . Krishti kishte hyrë aq shumë në dyert e hapura të zemrës së Karol Wojtilës, sa ai u bë i ngjashëm me Krishtin në vuajtje e në lavdi.








All the contents on this site are copyrighted ©.