2017-10-13 14:23:00

Papa në Shën Martë: të krishterët të jenë vigjilentë, jo të kësaj bote


Vetëm Krishti i kryqëzuar do të na shpëtojë nga djajtë, që na bëjnë “të rrëshqasim ngadalë drejt gjërave të kësaj bote”. Kështu foli Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë mori shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, ku Jezusi thotë: “Në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!”. Papa i ftoi të gjithë ta shqyrtojnë ndërgjegjen e të bëjnë vepra bamirësie – ato, që të kushtojnë diçka, nënvizoi – sepse kjo do të na ndihmojë të jemi më të kujdesshëm për të mos i lënë të na hyjnë në shpirt këto personazhe “tinëzake”.

Në Ungjill, atyre që e akuzojnë se i përzë shpirtrat e këqinj me pushtetin e Belezebulit, Jezusi u thotë të vërtetën: kur shpirti i papastër del prej njeriut, sillet në shkretëtirë për të gjetur lehtësim e, kur nuk e gjen, vendos të kthehet prej nga erdhi, aty ku banon njeriu i lirë. E gjen atë të pastër e atëherë djalli vendos të marrë edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqinj se ai, në mënyrë që ta mposhtë njeriun, i cili bëhet edhe më i keq se më parë. Fjala “përkeqësim” është për Papën vendimtare për të kuptuar ndikimin e djajve në shpirtin e njeriut, pasi ata nuk shihen e nuk ndihen.

         “Fillojnë të bëjnë pjesë në jetë. Edhe me idetë e frymëzimet e tyre e ndihmojnë njeriun të jetojë më mirë – vuri në dukje Ati i Shenjtë. – Hyjnë në jetën e njeriut, hyjnë në zemrën e tij e nga brenda, fillojnë ta ndryshojnë njeriun, por qetë-qetë, pa zhurmë. Kjo mënyrë është e ndryshme nga ajo e pushtimit djallëzor, që është më i fortë: ky është një pushtim djallëzor pak si ‘sallonesh’, le të themi kështu. Këtë bën Qoftëlargti dalëngadalë, për t’i ndryshuar kriteret e jetës sonë, për të na bërë rob të gjërave të kësaj bote. Mimetizohet në mënyrën tonë të veprimit e ne e kemi të vështirë ta kuptojmë. E kështu, ai njeri, që fillimisht ishte çliruar nga djalli, bëhet edhe më i keq, shtypet nga gjërat e kësaj bote. Këtë dëshiron djalli: lidhjen me gjërat e kësaj bote”.

Djalli është ati i joshjes, vijoi Papa Françesku. E kur djalli hyn në shpirt “me edukatë, pa bujë”, njeriu kthehet në një “sallatë” – siç e quan Ati i Shenjtë – ku përzihen shpirti i botës me shpirtin e Zotit. Bëhemi kështu, të krishterë të vakët. Për të mos rënë në këtë gjendje, Papa këshillon të jemi vigjilentë, pa u frikësuar e duke i marrë punët qetë.

         “Të vigjëlojmë do të thotë të kuptojmë se ç’po ndodh në zemrën tonë, do të thotë të ndalemi e ta shqyrtojmë jetën. A jam i krishterë? A i edukoj mirë fëmijët? Jeta ime është e krishterë apo mondane? E si mund ta kuptoj këtë? Me të njëjtën recetë, që jep Shën Pali: nguljani sytë Krishtit të kryqëzuar. Mondaniteti kuptohet e shkatërrohet vetëm para kryqit të Zotit. Ky është qëllimi i të Kryqëzuarit para nesh: nuk është zbukurim; është pikërisht ai, që na shpëton nga këto magjepsje, nga këto joshje, që të bëjnë rob të gjërave të kësaj bote”.

Ati i Shenjtë na këshillon ta pyesim veten nëse e shohim Krishtin e kryqëzuar, nëse e bëjmë Udhën e Kryqit për ta kuptuar cili është çmimi i shëlbimit.

         “Pastaj, siç thashë, shqyrtimi i ndërgjegjes, ç’ndodh me të. Por gjithnjë para Krishtit të kryqëzuar. E na bën mirë edhe ndonjë thyerje …jo e kockave: por një krisje në qëndrimet e rehatshme. Këto krisje janë veprat e bamirësisë. Jam rehat, por po e bëj këtë, që më kushton diçka. Vizitoj një të sëmurë, ndihmoj një nevojtar… nuk e di, një vepër bamirësie. E kjo e prish harmoninë e rreme, që mundohet të krijojë djalli - këta shtatë djaj me kryetarin e tyre - për të na lidhur shpirtërisht me gjërat e kësaj bote”.







All the contents on this site are copyrighted ©.