2017-10-12 17:11:00

Papa Françesku: mos u dëshpëroni, besim në Zojën e Aparecida-s


“Përshëndetja dhe bekimi im i veçantë për të gjithë ju, që po e jetoni në Jezu Krishtin, Vitin Marian të Jubileut të 300-vjetorit të gjetjes së fugures së Virgjërës, Nënë e Aparecida-s, në ujrat e lumit Paraíba do Sul”. Kështu, Papa Françesku, në videomesazhin në portugalisht për këtë përvjetor. Ati i Shenjtë u drejtohet brazilianëve me fjalë, që tingëllojnë si përqafim vëllazëror.

Kujton historinë e gjetjes së fugures së Zojës. Ishte viti 1717 e disa peshkatarë nxorrën nga lumi shtatoren, që i frymëzoi të kishin besim se Zoti do t’i ndihmonte të peshkonin shumë peshq, pavarësisht se deri në atë çast, kishin kapur pak e aspak. “Zoti na befason gjithnjë” thekson Papa Françesku. Tri mësimet, që na jep Aparecida, nënvizon Ati i Shenjtë, kanë të bëjnë me shpresën, me gëzimin e me dorëzimin para Hyjit, që Ai i Lumi të na befasojë.

Kujtimet e Papës ndalen në udhëtimin e tij të parë apostolik në Brazil, në vitin 2013, gjatë të cilit shkoi në Shenjtëroren e Aparecida-s. Kësaj radhe nuk është i pranishëm - sepse, siç thotë vetë me shaka në video: “jeta e një Pape nuk është e lehtë” – por ka emëruar kardinalin Giovanni Battista Re si Legat Papnor për të “garantuar praninë e Papës” në kremtimet e sotme të festës së Zojës së Aparecida-s.

         “Mos lejoni t’ju mposhtë dëshpërimi! – u thotë Papa brazilianëve. Kini besim në Zotin, kini besim në ndërhyrjen e Nënës sonë të Aparecida-s”. Në Shenjtëroren e saj dhe në çdo zemër të përkushtuar për Marinë, vëren Ati i Shenjtë, mund të preket shpresa, që konkretizohet në bujari, solidaritet, përshpirtëri.

 Papa i fton brazilianët ta çojnë këtë gëzim në të gjitha “periferitë gjeografike, shoqërore dhe ekzistenciale, që kanë kaq shumë etje për një pikëz shpresë”. Buzëqeshja e thjeshtë, që shihet në fuguren e Zojës, qoftë burim buzëqeshjesh për këdo: “i krishteri – pohon Françesku – nuk mund të jetë kurrë pesimist”.

“Lutuni për Papën – kërkon së fundi – e të jeni të sigurtë se Papa lutet gjithnjë për ju”. Sot, Brazili ka nevojë për burra e gra, të cilët, plot shpresë e të përforcuar në fe, të jenë dëshmitarë të faktit se dashuria është më e fortë se errësira e egoizmit dhe e korrupsionit, nënvizon Papa në mbyllje të videomesazhit, ku rrëfen edhe se ka nostalgji të madhe për Brazilin.

Shikojeni videomesazhin e Papës në gjuhën origjinale:








All the contents on this site are copyrighted ©.