2017-10-12 00:30:00

Papa, të dielën, shpall shenjt martirët brazilianë vrarë nga hollandezët


Të dielën, më 15 tetor, Papa Françesku do të shpallë shenjt, gjatë një meshe në Sheshin e Shën Pjetrit, ish-jezuitin Andre’ de Soveral, famullitar dioqezan në Cunhau’, si edhe don Ambrosio Francisco Ferro, famullitar në Natal, së bashku me 28 shokë martirë, vrarë për shkak të fesë në vitin 1654.

Atë de Soveral u bë famullitar në Cunhau’, pasi u shërbeu indiosve të Rio Grande do Norte. Të dielën, më 16 korrik 1645, si zakonisht, don Andre’ pati mbledhur besimtarët në kapelën e Zojës së Qirave për meshën. Ishin rreth 69 vetë, shumica fshatarë dhe punëtorë, që korrnin kallamin e sheqerit. Gjatë ritit, hyri në kishë një grup ushtarësh hollandezë, së bashku me shumë indios të armatosur nga tributë Tapuias dhe Patiguari. Mbyllën dyert dhe filluan të ngacmonin të pranishmit.

Don Andre’, që atëherë ishte 73 vjeç, i kuptoi menjëherë qëllimet e tyre: ndërpreu kremtimin dhe i udhëhoqi besimtarët në lutjet për njerëzit në fill të mordjes, në agoni. U masakruan me shpatë, përveç pesë besimtarëve portugezë, që u morën peng dhe u çuan në Fortesën hollandeze të Mbretërve Dijetarë.

Emrat e këtyre pesë robërve njihen mirë dhe përmenden nga kronistët e kohës. Ndërsa nga të gjithë martirët, njihet vetëm emri i një fisniku të vendit, Domingos de Carvalho. Si meshtari ashtu edhe fisniku bëjnë pjesë në listën, ku ndodhen edhe meshtari Ambrosio Francisco Ferrero, famullitar i Natalit, bashkë me 28 laikët, të cilët u vranë si ata të Cunhau’-t, më 3 tetor 1645.

Pas masakrës së parë në kishën e Zojës së Qirave, besimtarët katolikë u strehuan në famullinë e Paraqitjes së Zojës. U bllokuan nga autoritetet hollandeze kalviniste, që i çuan, së bashku me famullitarin, në bregun e lumit aty pranë, ku i torturuan dhe i vranë më 3 tetor 1645. Njihen emrat e 15 martirëve, ndërsa të tjerët ishin të afërmit e tyre. Të dyja grupet e 30 martirëve u lumnuan më 5 mars të vitit 2000 nga Shën Gjon Pali II e, do të shpallen shenjt të dielën, më 15 tetor, nga Papa Françesku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.