Më 12 tetor kalendari kujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar. Shën Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në rajonin italian Marke. Prindërit e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por edhe tepër të varfër. Nuk mundën, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija shumë shpejt u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan të Tolentinos.
Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave që i besoheshin, nuk ia dilte mbanësh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse.
Në vitin 1590 Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet u shkruan eprorëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet.
Shën Serafini nga Montegranaro bën pjesë në radhët e shenjtërve, të cilët e pasuruan që në fillim urdhrin kapuçin. Dinte të lutej gjithnjë, pa u lodhur kurrë, deri në atë shkallë, sa ta ndjente veten fare të shkëputur nga mjedisi që e rrethonte, duke e kundruar praninë hyjnore në gjithësi e ndër njerëz, në bashkim të përhershëm me Zotin. San Serafino da Montegranaro ReligiosoStili i tij i jetës ishte i përvujtë, pa asnjë teprim, vishej me një zhgun të arnuar e të dalë boje, por kjo nuk ia pakësonte madhështinë e shpirtit. Kishte gjithnjë e për gjithkënd diçka për të dhuruar: një fjalë, një gjest, një lëmoshë, një buzagaz, një ngushëllim. Kisha na fton të ndjekim shembullin e tij e nxit besimtarët për t’i dëshmuar me guxim vlerat e shpirti, duke ecur në gjurmët e Shenjtit Serafin.
Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Askolit, kur kërkoi me ngulm sakramentin e vajimit të shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi kishte marrë shujtën e shenjtë të shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Papa Klementi XIII, më 16 korrik 1767.
All the contents on this site are copyrighted ©. |