2017-10-11 14:33:00

Papa Françesku në audiencë: të krishterët të rrezikojnë me guxim për të mirën


Shpresa e krishterë, edhe një herë, në qendër të katekizmit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e besimtarëve të shumtë nga 30 vende të ndryshme të botës. Ati i Shenjtë u ndal në temën e pritjes me “vigjilencë”, që i paraprin takimit me Krishtin e ngjallur:

 “Asgjë s’është më e sigurtë për fenë e të krishterëve se sa ky ‘takim’, ky takim me Zotin, kur Ai vjen”, tha Papa. Prandaj, të krishterët duhet të rrinë zgjuar e ta presin Jezusin me sy vigjilentë, pasi takimi me Krishtin është përqafim, është gëzim i pamasë. I krishteri nuk mërzitet, por ka durim, vërejti Françesku, sepse edhe në ditët monotone, që duken të gjitha njëlloj, fshihet misteri i Hirit Hyjnor. Asgjë nuk ndodh rastësisht, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Asnjë natë nuk është kaq e gjatë sa të na bëjë të harrojmë gëzimin e agimit. E sa më e errët duket, aq më afër është aurora… edhe nëse e gjithë bota do të predikonte kundër shpresës, nëse do të thoshte se e ardhmja do të sjellë vetëm re të errta, i krishteri e di se në atë të ardhme Krishti do të kthehet”.

Kjo duhet të na mjaftojë për të pasur besim e për të mos e mallkuar jetën, sepse, kujtoi Papa, gjithçka do të shëlbohet:

“Gjithçka. Do të vuajmë, do të ketë çaste që zgjojnë zemërim dhe indinjatë, por kujtimi i ëmbël dhe i fuqishëm i Krishtit do ta dëbojë tundimin për të menduar se kjo jetë është e gabuar”.

“Pasi njohim Jezusin – vërejti Papa – nuk mund të bëjmë tjetër, veçse ta shqyrtojmë historinë me besim dhe shpresë”. “Të mos mbyllemi në vetvete, të mos na vijë keq për të kaluarën, që e mendojmë si të praruar…”:

“Të shohim gjithnjë përpara, në një të ardhme, që nuk është vetëm vepër e duarve tona, por, para së gjithash, shqetësim i vazhdueshëm i Provanisë Hyjnore. Gjithçka është e patejdukshme, një ditë kthehet në dritë”.

 E duhet të mendojmë, shtoi Papa, se Zoti nuk e përgënjeshtron vetveten:

“Kurrë! Zoti nuk zhgënjen kurrë!”

Prandaj, i krishteri s’ka asnjë arsye për të qenë pesimist, sikur historia të ishte një tren pa kontroll:

“Dorëzimi nuk është virtyt i krishterë. Ashtu siç nuk është e krishterë të ngresh shpatullat, ose të ulësh kokën para një fati, që duket i pashmangshëm”.

Nuk duhet të jemi as të nënshtruar, as dembelë, duke ndenjur duarkryq, ndërsa presim:

“Nuk ka ndërtues të paqes, që në fund të fundit, nuk e ka kompromentuar paqen e tij personale, duke marrë përsipër problemet e të tjerëve”.

Në fakt, i krishteri është ai, që rrezikon me guxim për të bërë mirë. E mira është thesari, që na ka dhuruar Jezu Krishti, përfundoi Papa Françesku katekizmin e sotëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.