“Kisha beson me vendosmëri në rininë, e vlerëson si nëna të bijtë”. Kështu shkruajnë kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane në mesazhin përfundimtar të asamblesë së tyre të përgjithshme, që këtë vit, u mbajt në Minsk të Bjellorusisë. Realiteti rinor – temë e Sinodit të ardhshëm të Kishës – ishte tema tjetër, përveç Evropës, e asamblesë së CCEE-së (Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane).
Gjatë punimeve dolën në pah disa shqetësime, si “kultura e rrjedhshme, në të cilën jetojmë; individualizmi i përhapur që sjell pasiguri dhe vetmi; konfliktet e pasdrejtësitë, që akoma sot, plagosin paqen”. “Janë arsye – shkruajnë ipeshkvijtë – që konfirmojnë impenjimin tonë për t’u qëndruar pranë e për të ecur me të rinjtë, me qëllim që ta ndjejnë se Ungjilli është kumtimi i ‘po’-së së madhe për jetën, për dashurinë, për lirinë, për gëzimin: do të thotë t’i thuash ‘po’ Krishtit”. “Do të donim – përfundojnë ipeshkvijtë – që fjala e Jezusit të arrijë në zemër të Evropës: ‘Mos ki frikë, unë jam me ty’”.
“Mos ki frikë Evropë e lashtë të jesh vetvetja. Merre sërish udhën e Etërve, që të ëndërruan si shtëpi popujsh e kombesh, nënë e frytshme bijsh e qytetërimesh, tokë humanizmi e hapur dhe e gjithanshme. Po, mos ki frikë, ki besim! Kisha, eksperte në humanizëm, është mikja jote: me vështrimin e ngulur mbi Krishtin e me Ungjillin në dorë, ajo ecën me ty drejt së ardhmes në pajtim, në drejtësi e në paqe”.
Pikërisht për këtë asamble të përgjithshme të ipeshkvijve evropianë në Minsk të Bjellorusisë, në mikrofonin e don David Gjugjës, flet kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra...
All the contents on this site are copyrighted ©. |