2017-10-09 14:27:00

Papa: patriarkëve, të vlerësohet lidhja kolegjialiteti-primati i shërbimit


Papa Françesku evokoi nevojën që ka sot Kisha për t’i dhënë një “shtytje” e “vlerësim” hallkës-lidhëse ndërmjet kolegjialitetit e primatit pjetrin, (rolit të Papës). Ati i Shenjtë Bergoglio u shpreh kështu duke hapur punimet e takimit pikërisht me patriarkët dhe kryeipeshkvijtë e mëdhenj të Kishave Lindore, të cilët sot paradite i priti në audiencë.

Takimi u mbajt në kuadrin e asamblesë plenare të Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore që po zhvillohet nga data 9 deri më 12 tetor, me rastin e njëqind vjetorit të themelimit të dikasterit. Të enjten e ardhshme Papa Françesku do të vizitojë Institutin Papnor Lindor në Romë, ku edhe zhvillohen punimet e asamblesë, e më pas do të kremtojë Meshën me patriarkët në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, afër Institutit Lindor.

 “Jam i lumtur që jam sot me ju, Etër e Krerë të Kishave Lindore Katolike, për të ndarë së bashku gëzimet dhe dhimbjet e besimtarëve që i janë besuar kujdesit tuaj baritor. Kujdesi për të gjitha Kishat – shtoi Papa - manifestohet edhe përmes bashkimit hierarkik me Ipeshkvin e Romës, pasardhësin e Shën Pjetrit. Të jesh Ipeshkëv i Romës është çështje themelore për misionin pjetrin, që është shërbim në kryesimin e dashamirësisë, të bamirësisë, vëllazërimit e të dashurisë (khr Ign. Ant., Lett. Rom., Proaemio).

Jam i bindur se duhet t’i japim një shtytje dhe një vlerësim në Kishë hallkës-lidhëse ndërmjet kolegjialitetit e primatit pjetrin, për të ushtruar sa më mirë “primatin diakonal (primatin e shërbimit)”, atë të Servus servorum Dei (Shërbëtorit të shërbëtorëve të Zotit). Ndër detyrat e Pasardhësit të Pjetrit, theksoi Papa Françesku, duke kujtuar rastin e zgjedhjes së Matisë apostull (khr Vp 1,15-26), është edhe ajo për të siguruar ipeshkvij të mirë për Kishat e veçanta të përhapura në botë. Juve, pra, e Sinodeve tuaja u kërkoj të bashkëpunoni për këtë shërbim kaq të rëndësishëm, për të zgjedhur njerëz të përshtatshëm për një mision të tillë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.