2017-10-07 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Njëra prej imazheve me të cilën Zoti, në Besëlidhjen e Vjetër paraqitet për të treguar dashurinë e vet për popullin e tij është ajo e bujkut që e do vreshtin e vet, e kultivon, e krasit, e mbron. Mirëpo vreshti vjetër nuk jep fryte dhe Zoti zgjedh një tjetër: ky vresht është Kisha.

Në Leximin I nga Isaia (5,1-7) Zoti përdor fjalorin e imazhet e njerëzve për të paraqitur vetveten dhe për të treguar për marrëdhënien e tij plot dashuri me popullin e vet. Isaia tregon se si izraelitëve që ankoheshin pse vuanin e paguanin fajet e etërve të tyre, Zoti u përgjigjet se çdonjëri është përgjegjës për veprimet e veta në të këqija e në të mira dhe se Ai është gjithmonë i gatshëm të falë çdo njeri që pendohet.

Psalmisti (Ps 79,9.12-16.19-20) e krahason Izraelin me një vresht të rrënuar e të pafryte  dhe që përmes lutjes kërkon ndihmën e Zotit. Këtë këndojmë duke thënë me psalmistin: Vreshti i Zotit është populli i tij.

Në Leximin II, Pali apostull në letrën drejtuar Filipianëve (4.6-9) na fton të mos lejojmë të pushtohemi nga e keqja, por të zbulojmë të mirën që është e pranishme në mesin tonë dhe atë ta zbatojmë. Pra, Pali na thërret të mbështetemi plotësisht në Zotin, pa u shqetësuar e pa u trembur, por të përforcuar nga urata t’i kërkojmë Zotit ndihmën, ta falënderojmë e Atij t’i japim lavde. Nga këtu “paqja e Zotit” depërton zemrat dhe mendjet tona të rrënjosura në Jezu Krishtin.

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (21,33-43), përmes shëmbëlltyrës së vreshtarëve gjakësorë, Jezusi i kthehet përsëri imazhit të vreshtit për të folur për mirësinë e paskajshme, dashurinë dhe për mëshirën që Zoti ka ndaj popullit të vet të zgjedhur, e njëkohësisht edhe për kërkesat, nga të cilat nuk mund heqë dorë, që ka Dashuria e Tij e pakufishme. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të përshkohet tërë historia biblike. Historia e vreshtit nuk ka përfunduar akoma. Prandaj, fragmenti ungjillor i kësaj së diele, flet për njeriun që e dha me qira vreshtin e vet, por kur dërgoi për të marrë të korrat, fshatarët vranë si shërbëtorët, ashtu edhe djalin e pronarit. Jezusi ua tregon këtë shëmbëlltyrë dishepujve të vet, duke i pyetur ç’mendonin se do të bënte i zoti i terrenit me ata fshatarë? E dishepujt u përgjigjën menjëherë se ata duheshin dënuar.

Për Jezusin, fshatarët janë kryepriftërinjtë, pleqtë e popullit dhe farisenjtë, që bënin plane për t’u rebeluar e për të mos e respektuar të zotin e vreshtit. Madje, i vrasin edhe të birin, ashtu siç ndodhi me vetë Krishtin, por përfundimi i historisë s’mund të jetë tjetër veçse dënimi i këtyre të pafeve, duke ua dhënë vreshtin, pra Mbretërinë e Hyjit, vreshtarëve të tjerë, që do t’i dorëzojnë frytet në kohën e duhur. Kështu do të veprojë edhe Zoti me ata, që nuk besojnë në Të e nuk ia duan të Birin. Të jesh i krishterë do të thotë të shartohesh me Krishtin e me Të, të prodhosh frytet, që i pëlqejnë Atit Qiellor.

                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 5, 1-7) 
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit. 

Lexim prej Librit të Isaisë profet 
Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin. 
Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë. 
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat!  Fjala e Zotit. 

Psalmi 80 (79)
Ref: Vreshti i Zotit është populli i tij

____________________________
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
_____________________________
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
_____________________________
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
_____________________________ 
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto! 
_____________________________
 

Leximi i dytë (Fil 4, 6-9) 
Hyji që jep paqen, do të jetë me ju. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëv
Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka - me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. 
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua - atë bëni - dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 21, 33-43) 
Vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut 
Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’
Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.