2017-10-06 00:00:00

Imzot George Frendo: Ungjillëzimi ri në dioqezën Tiranë-Durrës


Kryedioqeza e Tiranë-Durrësit,  më 7 tetor 2017, hapi punimet e Asamblesë dioqezane në kuadrin e përgatitjes së Sinodit Dioqezan me temën: “Ungjillëzimi i Ri në Arqidioqezën tonë”. vendosur nga kryeipeshkvi imzot Gjergj Frendo.  Asambleja, në të cilën janë të përfshirë kleri, motrat rregulltare dhe besimtarët e të gjitha kishave famullitare të kryedioqezës, u mbajt më 7 tetor 2017 pranë Qendrës Dom Bosko në Tiranë. Ja fjala e plotë që kryeipeshkvi Imzot Frendo u drejtoi të pranishmëve...

UNGJILLËZIMI I RI NË DIOQEZËN TIRANË-DURRËS

Asambleja Dioqezane në përgatitje për Sinodin Dioqezan – 07/10/2017

Fjala e  Imzot George Frendo O.P. në hapjen e punimeve, më 7 tetor në Tiranë, të Asamblese Dioqezane në përgatitje për Sinodin Dioqezan 2018 

Brenda një periudhe 38 vjeçare dy Sinode të Ipeshkvijve kanë diskutuar Ungjillëzimin – që tregon rëndësinë e temës së Ungjillëzimit për Kishën: në vitin 1974, me temë “Ungjillëzimi në Botën e Sotme”, dhe në vitin 2012, me temë “Ungjillëzimi i Ri”. Pas këtyre Sinodeve, Papa Pali VI botoi Nxitjen Apostolike Evangelii Nuntiandi (EN) dhe Papa Françesku botoi Nxitjen Apostolike Evangelii Gaudium (EG).

ÇFARË ËSHTË UNGJILLËZIMI?

Fjala euangelion (ungjilli) do të thotë “lajm i mirë”. Si lajm, duhet të shpallet. Prandaj fjala “ungjillëzim” do të thotë shpallja e këtij lajmi të mirë të Jezu Krishtit. Pali VI pohon qartë se qëllimi i ungjillëzimit është kthimi, dhe thekson se “nuk mund të ketë njerëzim të ri, nëse më parë nuk ka njerëz të rinj, prej risisë së pagëzimit dhe të jetës sipas ungjillit” (EN 18).

Ndoshta sfida më e madhe për Kishën sot është sfida për të edukuar në fe. Kuptohet, pra, pse Papa Gjon Pali II vazhdimisht theksonte nevojën për “ungjillëzimin e ri”, dhe Papa Benedikti vendosi që Sinodi i vitit 2012 të diskutonte Ungjillëzimin e Ri. Pasi në shkurt 2013 Papa Benedikti dha dorëheqjen, i takoi Papa Françeskut të botonte Nxitjen pas-sinodalen, Evangelii Gaudium - Gëzimi i Ungjillit. Vetë titulli tregon çfarë kupton Papa Françesku kur flet për “Ungjillëzimin e ri”. Sepse Ungjillëzimi është shpallja e një lajmi të mirë e të gëzueshëm. Pra thotë: “Mos të lejojmë vetveten të privohemi nga gëzimi i ungjillëzimit” (EG 83); dhe prapë: ““Sa do të doja të gjeja fjalët e duhura për të nxitur një fushatë ungjillëzimi më të zellshme, më të gëzueshme, bujare, të guximshme dhe plot dashuri të pakufijshme dhe joshje të parezistueshme!” (261).

Misioni edukues i Kishës duhet ta çojë njeriun që të dalë nga ajo formë krishtërimi e fosilizuar që e ka reduktuar Krishtin si një hero që përkujtohet me statujat dhe me ritet, dhe të kalojë në atë krishtërim që me fe i thotë “po” lajmit të mirë dhe çlirues të Krishtit të gjallë; me atë fe që është e themeluar mbi Fjalën e Hyjit, që na bashkon si familja e Krishtit që është Kisha, dhe që shprehet në kultin komunitar veçanërisht nëpërmjet sakramenteve.

Sot ndihet më shumë nevoja që Kisha të jetë e pranishme dhe aktive në kulturën bashkë-kohore. Papa Pali  pohon se “ndërprerja e marrëdhënieve mes ungjillit dhe kulturës është pa dyshim tragjedia e epokës sonë”. Dhe shton: “Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për një ungjillëzim bujar të kulturës, ose, më saktë, të kulturave. Ato duhet të ripërtërihen nëpërmjet takimit të tyre me Lajmin e mirë” (n. 20).

Por ungjillëzimi i kulturës nënkupton shumë gjëra. Do të përmend dy kushte kryesore. Së pari, se Kisha duhet të jetë familjare me kulturën e vendit dhe të kohës. Dhe së dyti, se gjuha e ungjillëzimit duhet të jetë e kuptueshme dhe e pranueshme nga kjo kulturë. Dhe këtu duhet të pyesim: Kisha katolike në Shqipëri a është familjare me kulturën vendase bashkëkohore (sepse ka ndryshuar shumë gjatë këtyre njëzet viteve të fundit)? Dhe gjuha e Kishës për të ungjillëzuar a është në sintoni me gjuhën e kulturës së sotme?

Mesazhi qendror i ungjillit është personi i Jezu Krishtit. Por ungjillëzimi nuk përmban vetëm një doktrinë dogmatike. Papa Pali ka folur për aspekte më konkrete në jetën e besimtarëve, pra predikimin e shpresës; predikimin e dashurisë, e cila kërkon prej të krishterëve një farë heroizmi, sepse kjo dashuri ka kurajë të dhurohet, të falë dhe të shërbejë.

UNGJILLËZIMI DHE PROMOVIMI NJERËZOR

Pali VI thotë se “ungjillëzimi nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të mbante parasysh thirrjen e ndërsjelltë e të vazhdueshme mes Ungjillit dhe jetës konkrete, personale dhe shoqërore të njeriut” (EN 29); dhe “ekzistojnë ndërlidhje të thella mes ungjillëzimit dhe përnxitjes njerëzore” (EN 31). Të njëjtën ide e shpreh Papa Françesku: “Nëse kjo përmasë (shoqërore e ungjillëzimit) nuk del në pah, ekziston një rrezik serioz i deformimit të kuptimit autentik e integral të misionit të ungjillëzimit” (EG 176). Papa Pali përmend plagët si mungesën e bukës, sëmundjet kronike, analfabetizmin, përnxitjen ideologjike të varfërisë, padrejtësinë etj. (EN 30). Ai paraqet lidhjen mes ungjillëzimit dhe përparimit njerëzor (EN 31).

Çlirimi i vërtetë, thotë Papa Pali, “lidhet me ungjillëzim, i cili synon fitimin e strukturave që sigurojnë mbrojtjen e lirive njerëzore” (EN 39). Por strukturat ungjillore dallohen rrënjësisht nga strukturat e ideologjive politike. Ideologjitë mund t’i ndryshojnë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat. Një shoqëri e re, më e denjë për njeriun, nuk sigurohet vetëm me ndryshimin e strukturave, por mund të ndërtohet me ndryshimin e zemrave.

Pas rënies së komunizmit Francis Fukuyama shkroi një ese me titull The End of History, ku tha se, me rënien e ideologjive, bota do të gëzojë një periudhë më të qetë. Por më vonë vuri re se kishte gabuar. Pluralizmi nuk solli më shumë tolerancë, por forma të reja intolerance, fondamentalizmi, racizmi. Jo shumë larg nga ne kemi parë lufta të tmerrshme në Ballkan dhe në republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Prandaj pas pak kohe Fukuyama u detyrua të shkruajë një libër tjetër, Trust, në të cilin foli për “virtytet shoqërore dhe krijimin e mirëqënies”.

Sigurisht, mjetet e komunikimit janë shumë efektive për të formuar opinionin publik dhe Kisha duhet të bëjë çmos që këto mjete të formojnë një opinion publik të mirë dhe objektiv, dhe të bashkëpunojë me ata që kanë përgjegjësi në këtë fushë, që me sinqeritet dhe mendje të hapur, duke përdorur më shumë këto vegla, të përhapë informacion dhe të pranojë kritikë.

Ndër mjetet për ungjillëzimin Papa Pali dhe Papa Françesku përmendin edhe përshpirtërinë popullore. “Ajo shfaq një etje për Hyjin, që vetëm të thjeshtët dhe të varfërit mund ta njohin” (EN 48). S’duhet të harrojmë se kanë qenë praktikat fetare popullore që në këtë vend e kanë ruajtur besimin e katolikëve tanë gjatë regjimit komunist. Detyra jonë është që të edukojmë në fe nëpërmjet besimit popullor.

SHENJA NË PRIRJE

Pas komunizmit në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Përmend disa ndryshime.

Vdekshmëria fëmijërore është zvogëluar, siç është pakësuar edhe numri i lindjeve të fëmijëve në çdo familje. Urbanizimi ka arritur një ritëm shumë të shpejtë. Nëse në vitin 1991 vetëm 35% e popullsisë jetonte në qytet, sot ka arritur mbi 60%. Shumica e këtyre emigrantëve të brendshëm vijnë nga fshatrat e maleve të Veriut dhe janë katolikë. Ky fakt ka shtuar ndjeshëm numrin e katolikëve në arqidioqezën tonë.

Papunësia është akoma shumë e lartë. Kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet, ndërsa pagat nuk janë rritur në mënyrë të përpjestueshme. Shumë janë pasuruar, disa falë korrupsionit. Por shumica e atyre që njëzet vjet më parë ishin të varfër, sot janë bërë akoma më të varfër.

Pjesëmarrja e popullsisë në zgjedhjet e fundit politike ishte shumë e ulët. Kjo tregon se populli nuk ka shumë besim tek institucionet politike. Në përgjithësi pohojmë se shoqëria sot është më e sigurt. Por kriminaliteti dhe përhapja e drogës janë një problem shumë serioz.

Që nga vitet ’90 Shqipëria filloi procesin e privatizimit. Ky proces ka afruar më tepër Shqipërinë me Europën perëndimore, por ka krijuar probleme të reja, mbi të gjitha për më të varfërit. Shumë mjekë dhe mësues kanë kaluar në sektorë privatë, duke lënë një boshllëk në sektorët publikë, i cili është sektori i arritshëm për të gjithë, përfshirë të varfërit.

Sipas studimit të bërë para disa vitësh nga Caritas Europa, gati 50% e intelektualëve shqiptarë janë emigrantë; edhe punëtorët më të zotë janë në kërkim të emigrimit. Nëse këto të dhëna janë të vërteta, atëherë kjo është ndoshta forma më e egër e varfërisë së Shqipërisë sot.

Janë verifikuar ndryshime të mëdha: rrugë kryesore të reja, ndërtime të reja, një popullsi më e pasur, supermarkete dhe dyqane ku sot mund të blihet gjithçka, etj.

Ndër ngjarjet kryesore në këtë periudhë përmendim shenjtërimin e Nënë Terezës, që ishte jo thjesht një ngjarje e Kishës katolike, por një ngjarje kombëtare shumë e rëndësishme. Nënë Tereza është simboli i madh dhe bija më e denjë e popullit shqiptar në kohën e fundit.

SHENJA NË KULTURË

Mes jetës në qytet dhe jetës në fshat është krijuar një humnerë e madhe. Në fshatra, familja e vogël (berthamore; the nuclear family) ende varet shumë nga familja më e gjërë (the extended family); gruaja ende është skllave e një kulture “maskiliste”; traditat janë ende tepër të forta. Në qytet (veçanërisht në Tiranë) të rinjtë janë më të pavarur nga familja e gjërë dhe nga traditat, ndërsa gruaja është më emancipuar.

Ëndrra kryesore e pjesës më të madhe e të rinjve shqiptarë është emigrimi jashtë vendit. Të vjen keq ta shohësh këtë rini të dëshpëruar. Çfarë shprese mund të ketë për një të ri që dëshiron të ndërtojë të ardhmen e tij? Numri i të papunëve ende është i lartë, pagat janë të ulta: për shumë të rinj nuk ngelet alternativë tjetër përveç emigrimit.

Familja shqiptare, vetë familja më e gjërë, patriarkale, por shumë e bashkuar, nuk i ka rezistuar efekteve shkatërruese të divorcit. Në një artikull të botuar para disa ditësh (në Shekulli) lexojmë: “Gjithnjë edhe më shumë martesa po shkojnë drejt divorcit, duke bërë që Shqipëria të hyjë në zonën e kuqe të vendeve që kanë normë të lartë të tyre”. Përsa i përket abortit, është i habitshëm numri gjithnjë e në rritje i aborteve. Para disa vitesh, Alma Mile tha se Shqipëria po futet në listën e atyre vendeve ku numri i aborteve është më i madh se i lindjeve. Sot ka shumë nëna që abortojnë edhe kur e dinë se foshnja është vajzë dhe jo djalë.

LEXIMI I SHENJAVE TË KOHËRAVE

Nuk mund të bëjmë një lexim të shenjave të kohërave si të ishim thjesht historianë ose sociologë, por si njerëz të fesë, të bindur që Hyji ynë është Zoti i historisë, që mund të nxjerrë të mirën edhe nga ajo që na duket ose është me të vërtetë e keqe. Në çdo ngjarje duhet të shtrojmë pyetjen: “Çfarë po pret Zoti nga ne në këtë situatë?”

Në një botë anonime, njeriu sot kërkon forma të reja përkatësie. Dean Kelley vuri re se në Amerikë është në rritje numri i atyre që bashkohen me sektet. Pse? Në opinionin tim, arsyeja kryesore është sepse në këto grupe gjenden si në bashkësi. Këtë e shohim edhe në grupe të ndryshme në Kishën Katolike (si Fokolarinët dhe Neokatekumenalët etj). Ne duhet të gjejmë më shumë hapësirë që besimtarët tanë të bashkohen dhe  të bashkëpunojnë në grupe të vogla.

Dëgjojmë lajme të këqija të skandaleve të korrupsionit, që shumë herë përfshijnë njerëz në pozicione të larta. Fakti se këto raste bëjnë bujë është shenjë se e keqja nuk ka humbur aftësitë e përplasjes dhe skandalizimit. Kjo tregon se populli nuk është amoral. Është akoma shumë i ndjeshëm në çështjet e sjelljes etike dhe vlerëson një sjellje shumë të mirë etike.

Kapitalizmi demokratik dhe individualizmi dalin mbi çdo ideologji. Dhe këtë e kemi parë të verifikohet edhe në Shqipëri. Si vendet e tjera ish–komuniste, e para gjë që Shqipëria ka mësuar nga Europa perëndimore ishte pikërisht konsumizmi. Por në këtë situatë Zoti na thërret, si Kishë institucionale, të tregohemi më të thjeshtë dhe më afër të varfërve (ja pse mora vendim të ndaloj pritjet për politikanët dhe të personalitetëve të tjerë për Krishtlindjet dhe Pashket, dhe i kam zëvendësuar me një drekë për të varfërit).

Gruaja shqiptare nuk është akoma mjaft e prekur nga ai hir çlirimi që Krishti i ka dhënë. Jemi ne, si Kishë Katolike, që mund të dëshmojmë, dhe të ndihmojmë për të komunikuar, çlirimin e gruas shqiptare. Psikoanalisti Jacques Lacan dhe feministja Simone de Beauvoir thanë se lëvizja për emancipimin e gruas ka filluar në vendet e krishtera. Dhe japin dy arsye për këtë. E para, sepse në konceptin e saj e martesës, Kisha Katolike gjithmonë ka mësuar që kjo lidhje varet nga pelqimi i ndërsjelltë i të dy bashkëshortëve, kështu që njeh dinjitetin e gruas të barabartë me të burrit. Arsyeja e dytë gjendet në thirrjen e motrës. Duke pranuar statusin e  motrave, Kisha Katolike ka njohur një dinjitet të vetin te gruaja pavarësisht nga martesa.

Edhe një herë dua të përmend figurën e Shën Nënë Terezës. Ajo ka qenë një grua shqiptare, që ka bërë të dëgjohet zëri i saj në favor të të braktisurve. Ajo ka shpallur dinjitetin e njerëzimit pavarësisht nga klasa shoqërore, nga ngjyra e lëkurës e nga besimi. Në një botë konsumiste, ajo, ungjillizuesja e madhe e varfërisë ungjillore, ka tërhequr admirimin e kësaj bote deri në marrjen e çmimit Nobel për paqen. Në jetën e saj dhe doktrinën e saj ka mësuar dinjitetin e gruas, dinjitetin e çdo njeriu si dhe forcën çliruese të varfërisë ungjillore.

PËRFUNDIM

Krezmimi na bëri dëshmitarë të Krishtit. Pra kemi një rol profetik në jetën tonë. Të jemi profetë sot, në Shqipëri. Me guximin e Jeremisë duke lënë “të tërhiqemi” nga Zoti, por duke ndjerë “një zjarr djegës” në zemrën tonë. Me guximin e Isaisë, që tërheq vëmendjen për të varfërit, të vejat, të shtypurit dhe qorton popullin që vazhdon të hajë, të pijë e të argëtohet kinse nuk po ndodh asgjë. Me guximin e Amos-it dhe Ose-së, që sot tërheqin vëmendjen tonë ndaj fëmijëve dhe grave të trafikuara; ndaj njerëzve që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale por që nuk kanë mundësi sepse nuk mund t’i paguajnë mjekët; ndaj shumë studentëve që duan të vazhdojnë studimet e larta por nuk munden sepse nuk kanë asnjë njeri që të ndërhyjë për ta; ndaj shumë familjeve që e kalojnë ditën duke ngrënë një copë bukë dhe pak fasule.

Të jemi profetë sot, në Shqipëri. Ne katolikët sfidohemi nga shoqëria. Por jemi edhe ne që sfidojmë shoqërinë duke dëshmuar vlerat e Mbretërisë së Qiellit. Ky është misioni ynë: të ndërtojmë një shoqëri mbi këto vlera. 








All the contents on this site are copyrighted ©.