2017-10-06 13:09:00

Maria Mbretëresha e Rruzares


Në festën e Zojës së Rruzare, 7 tetor, Kisha i larton lutjen Nënë së Jezusit dhe Nënës sonë Qiellore, duke porositur të gjithë ta vlerësojnë, në këtë muaj të tetorit, kushtuar Zojës së Bekuar, uratën e Rruzares Shenjte. E vënë, kështu, përsëri Rruzaren, në qendër të vëmendjes, e kjo na shtyn të mendojmë mbi vlerat e saj.

Rruzarja është kristocentrike
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishtlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë e të dritës së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.

Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e katër serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë, na dhuroi Korpin e Gjakun e vet në Eukaristi.
Duhet vërejtur edhe se Rruzarja, duke na bërë të përshkojmë më shpesh ciklin e mistereve të Mishërimit, të Kryqit e të Lumturisë së Zotit, na ndihmon të perceptojmë unitetin e thellë të misterit të Krishtit, që liturgjia e shpalos gjatë një viti të tërë.
Është mirë të meditohen misteret e mundimeve edhe në Kohën e Krishtlindjes e të kundrohen Ngjallja e Rrëshajët, gjatë Javës së Madhe…

Maria na çon tek Krishti
Në lutjen e Rruzares, Virgjëra Mari zë një vend të rëndësishëm, sepse elementi më karakteristik është përsëritja e përshëndetjes ‘Të falemi Mari!”.
E përshëndesim kështu, për vendin që zë në planin e shëlbimit: ajo është Nëna e Shëlbuesit. Edhe përsëritja e kësaj përshëndetjeje bëhet lavdërim i përhershëm drejtuar Krishtit, fjalë e fundit e lajmërimit të Engjëlli dhe e përshëndetjes së Elizabetës: “Bekuar fryti i barkut tënd”. (Mk 46)
Përsëritja e ‘Të falemi Mari’ përbën strumbullarin, rreth të cilit shtjellohet kundrimi i mistereve të Krishtit. Njëri pas tjetrit, misteret na paraqesin atë Jezus, që është në qendër të ‘Falemi Marisë: të lindur në Shpellë të Betlehemit; ndër grahma në Kopshtin e Ullinjve; të ngjallur prej të vdekurve, ndërsa dërgon Shpirtin Shenjt ose larton Marinë në lumturinë e vet.
Ata që përdorin ‘klauzolat’, fraza tepër të shkurtra, të cilat kujtojnë çdo mister si: Jezusi vdiq për ne mbi kryq… Jezusi na jep Shpirtin Shenjt.. e dinë mirë se kjo e ndihmon shumë kundrimin.
Edhe në praktikën e Rruzares, Virgjëra Mari nuk pushon së qeni shërbëtorja e Hyjit.

Përmes Rruzares Maria na mëson ‘të hyjmë në jetën shpirtërore’ .
E këtu duket edhe gjithë vlera e një lutjeje si Rruzarja. Në se jemi të qetë e të zhytur në mendim, Rruzarja na bën t’i meditojmë misteret e jetës së Zotit, të para me syrin e me zemrën e Marisë (MC. 47). Na bën të marrim pjesë në lutjen Marisë “që i ruante të gjitha këto sende e i meditonte në zemrën e vet”.
Duke i bërë kështu familjare misteret e Krishtit në shpirtin tonë e në zemrën tonë, Rruzarja na përgatit t’i kremtojmë në liturgji të njëjtat mistere “me shpirt e vërtetësi”.
Duke kërkuar ndërmjetësimin amëtar të Marisë me fjalët “Lutu për ne mëkatnorë”, Rruzarja na bën të ndjejmë në shpirt atë  varfëri e përvujtëri, pa të cilën nuk mund të ndikojë mbi ne Shpirti Shenjt, ashtu si në Çenakull, kur Apostujt ishin mbledhur rreth Marisë.
Rruzarja na krijon mundësinë t’i shijojmë mrekullisht përfitimet që kemi nga amësia shpirtërore e Marisë dhe e gjithë Kishës, që liturgjia të ketë në jetën tonë një ‘jehonë të thellë’ (MC 48)








All the contents on this site are copyrighted ©.