2017-10-06 12:58:00

Kisha kremton festën e Zojës Rruzare


Sonte bie nata e festës së Zojës së Bekuar Rruzare, që kremtohet më 7. Një festë kjo e themeluar nga Papa Shën Piu V, për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turke. Pra shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos.

Siç përmendem, më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Rruzarja lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë.

Rruzarja është pra një uratë për të gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë që ndihmon çdo besimtar që lutët. Siç pat pohuar Papa Benedikti XVI gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Shenjtëroren e Zojës në Pompei të Italisë më 19 tetor 2008 “Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia e Meshës së Papës Benediktit XVI në Pompei, 19 tetor 2008)

Kjo festë e Zojës së Bekuar Rruzare më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.
Nga Shenjtëroret e shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës, kujtojmë në trevat shqiptare Kishën e Zojës Rruzare në Shkodër dhe në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.

“Lutja e vogël” nga urata historike e të Lumit Bartolo Longo: “Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

Bartolo Longo: lutja e vogël drejtuar Zojës Rruzare!

“Lutja e vogël”, është një fragemtn shkëputur nga urata historike, shkruar nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1883:

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shpëtimtar të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.