2017-10-03 14:32:00

Masakra e Las Vegasit: 59 viktima e më se 500 të plagosur


Masakra e Las Vegasit ka hyrë tashmë në histori si më e përgjakshmja e historisë moderne amerikane. Bilanci i viktimave ka arritur në 59 të vdekur, ndërsa SHBA-të luten për jetën e 527 të plagosurve. Në katedralen katolike të Engjëjve të Rojes, ipeshkvi i Las Vegasit, imzot Joseph A. Pepe kremtoi një mbrëmje lutjeje ndërfetare dhe e ftoi gjithë botën të bashkohet me amerikanët për t’i dhënë fund dhunës. Nënvizoi “historitë e të gjithë atyre, që u ndihmuan në këtë çast krize”, sepse “siç na kujton Ungjilli – theksoi – jemi të thirrur të jemi samaritanët e mirë të ditëve të sotme”.

Pikërisht imzot Pepes, i dërgoi dje Papa telegramin e nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, drejtuar gjithë popullsisë së Las Vegasit. Edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Amerikane, kardinali Daniel N. Di Nardo siguroi lutjet e ipeshkvijve për familjet e viktimave dhe për të plagosurit, me besimin se “errësira nuk mund të fitojë mbi dritën”.

Po dje pasdite, në mbrëmjen laike të dhimbjes e të protestës para bashkisë së Las Vegasit, folën shumë pastorë të Kishave të reformuara e përfaqësues të bashkësive fetare, por edhe autoritetet civile. Kërkuan fundin e dhunës, por edhe masa për të mos e lënë kaq të lehtë shitjen e armëve në SHBA-të. Kërkuan bujari dhe solidaritet njerëzor, që vërtet janë aktivizuar si kurrë ndonjëherë, në këto ditë të vështira.

         Ka njerëz, që kanë bërë tri orë udhë e ndenjur paqësisht në radhë për të dhuruar gjak, tepër i nevojshëm për të plagosurit në këtë çast. Nga anë të ndryshme të qytetit, të tjerë mbërrijnë me shishe uji, kafe e ushqime për të mbushur magazinat e Kryqit të Kuq e të organizatave të tjera bamirëse, në dispozicion të atyre, që akoma të shokuar, presin lajme për familjarët e për miqtë.

         Ndër viktimat, një infermiere, disa mësues, një polic, një vajzë cheerleader, një gjyshe dhe një mbesë, të gjithë ardhur në kryeqytetin e Nevadës për një festival muzike “country”, që zhvillohet vit për vit. Kur Stephen Paddock hapi zjarr, duke e shndërruar tempullin e muzikës në varr, turma numëronte rreth 30 mijë vetë. Arsenali i tij ishte i frikshëm, 23 pushkë, disa prej të cilave automatike, si edhe një sasi e madhe municioni. Një lloj lufte personale me njerëzimin, për të cilën autoritetet akoma nuk e kuptojnë arsyen, por pista e terrorizmit nuk duket se mund të japë përgjigjet e kërkuara, pavarësisht nga një lloj rivendikimi të Isis-it.








All the contents on this site are copyrighted ©.