2017-10-03 14:55:00

Kisha në Belgjikë, eksperte në dialogun ndërfetar


Një pol specializimi në dialogun ndërfetar për t’i dhënë Kishës në Belgjikë informacione të nevojshme për traditat e ndryshme fetare të pranishme në Bruksel, për t’iu përgjigjur kërkesave për formim, për të mbështetur projektet e bashkësive, të shkollave dhe të instituteve fetare. Kjo është nisma e promovuar në kryeqytet nga Konferenca Ipeshkvnore Belge, me synimin për t’i bërë më të thjeshta marrëdhëniet ndërmjet besimeve të ndryshme fetare në vend.

“Brukseli – lexohet në notën e kryedioqezës Malines-Bruksel – është qytet shumë kulturash e shumë fesh. Nuk është e lehtë të jetojmë bashkë, kur i përkasim kulturave dhe feve të ndryshme. Duhet ta mësojmë këtë dhe të impenjohemi. Gjithashtu, duhet treguar kujdes që këto ndryshime të mos bëhen burim kundërshtish dhe urrejtjesh. Që këndej, rëndësia e takimit dhe e dialogut në shërbim të paqes e të pajtimit”.

Gjatë viteve të fundit, mbërritja e emigrantëve myslimanë dhe lëvizjet e reja fetare kanë sjelljë shtimin e formave të armiqësive shoqërore, të cilat, sipas Kishës Katolike dhe besimeve të tjera të krishtera, duhen çrrënjosur përmes edukimit dhe dialogut me përgjegjësit e feve të tjera.

Poli i specializimit në dialogun ndërfetar drejtohet nga atë Jan Van Eycken dhe ofron disa shërbime. Së pari, është qendër dokumentimi për traditat e mëdha fetare, të pranishme në Bruksel, përveç krishterimit, si islamizmi, hebraizmi, budizmi. Mbledh informacion edhe për vendet e tyre të kultit e për shoqatat kulturore e shpirtërore. Gjithashtu, sugjeron vizita në vendet e kultit, nxit takime e shkëmbime me rastin e festave kryesore fetare, si edhe organizon ngjarje ndërfetare, për shembull: koncerte, ekspozita, konferenca.








All the contents on this site are copyrighted ©.