2017-10-02 16:26:00

Papa: lulëzoni në gjeste dashurie e bëhuni të vogla me të vegjlit


Impenjohen për ta çuar Krishtin Fëmijë në vende të vështira, aty ku banojnë të vegjlit dhe të varfërit e botës, pa frikë për të ecur përpara. Këto janë Motrat e vogla të Jezusit, sipas fjalëve të Papës Françesku, i cili i priti sot murgeshat në Sallën e Koncistorit të Vatikan, me rastin e kapitullit të përgjithshëm të institutit. Të pranishme, përfaqësuese nga 28 vende të botës. Kujtojmë se motrat janë të pranishme edhe në Shqipëri. Ati i Shenjtë i ftoi për një ungjillëzim me gjeste, më tepër se me fjalë:

Buzëqeshja, heshtja, adhurimi, durimi. Më vjen ndërmend dialogu ndërmjet lisit e bajames. Lisi i tha bajames: ‘Më flit për Zotin’ e bajamja lulëzoi. Këtë ju kërkon Kisha edhe juve: të lulëzoni, të lulëzoni në gjeste dashurie për Hyjin”.

Ati i Shenjtë kujtoi themeluesen e Kongregatës, Motrën e vogël Madalena të Jezusit, e cila, në gjurmët e të Lumit Charles de Foucauld, e kuptoi se Zoti nuk pati frikë të bëhej fëmijë i vogël, plot besim, në krahët e Marisë, për të na dashur. Papa Françesku vuri në dukje se 80 vjet pas themelimit, më se njëmijë motra veprojnë kudo në botë:

 “Nuk janë aty vetëm për të kuruar, edukuar, katekizuar, megjithëse këto gjëra i bëjnë mirë – vërejti Ati i Shenjtë – janë aty për të dashur, për të ndenjur me më të vegjlit, siç bënte Jezusi, për ta shpallur Ungjillin me jetën e tyre të thjeshtë, që përbëhet nga puna, prania, miqësia, mikpritja pa kushte. Është e rëndësishme, me rëndësi jetësore për ju, t’i ktheheni gjithnjë kësaj përvoje fillestare të afërsisë së Zotit, që na dhurohet i butë e i përvujtë për të na shpëtuar e për të na mbushur me dashurinë e vet”.

Papa Françesku i këshilloi rregulltaret ta mbajnë gjallë jetën e tyre shpirtërore, sepse nga dashuria, që ato marrin vazhdimisht nga Zoti, rrjedh ajo për motrat e vëllezërit. Kjo jetë shpirtërore i ushqen të rinjtë dhe u jep mundësinë t’i përgjigjen thirrjes së Hyjit, nënvizoi Papa. Prej saj gurgullon dëshmia ungjillore, që presin të varfërit:

Të mbeteni, i këshilloi Papa , “të lira nga lidhjet me veprat e me gjërat, të lira për t’i dashur ata që takoni, kudo ju çon Shpirti Shenjt. Të lira për të fluturuar, të lira për të ëndërruar. Vështirësitë e së sotmes – nënvizoi – ju nxisin t’i ndani dhimbjet me shumë vëllezër; edhe ju, së bashku me ta, nganjëherë, jeni detyruar t’i mbyllni, ose t’i braktisni shtëpitë për të shkuar diku tjetër; edhe ju i njihni sprovat e moshës, të vetmisë, të vuajtjes; edhe ju provoni vështirësitë e rrugës kur është fjala për të qëndruar besnike, duke përshkuar shkretëtira”.

Por dashuria në zemra, i siguroi Françesku, i bën Motrat e vogla gra të lira, të afta ta jetojnë cilësisht bashkësinë. Për të rigjetur shijen e thjeshtësisë dhe të gëzimit, tipike për jetën e shuguruar, Papa i nxiti murgeshat të kërkojnë gjithnjë afërsinë, kujdesin për gjëra të vogla, shërbimin, mrekullinë, dashurinë. Nga ky vëllazërim lind shërbimi i autoritetit, theksoi:

 “Ushtrimi i përgjegjësisë në Kishë i ka rrënjët në vullnetin e përbashkët e vëllazëror për ta dëgjuar Zotin, për të ndjekur shkollën e Tij e për të jetuar nga Shpirti Shenjt, që Mbretëria e Hyjit të shtrihet mbi të gjitha zemrat. Në këtë kontekst dëgjimi të njëra-tjetrës, gjejnë vend dialogu dhe bindja”, pohoi Papa.

Themeluesja i pati ftuar motrat të bëhen “arabe me arabët, nomade me nomadët, punëtore me punëtorët”, “njerëzore ndërmjet njerëzve”, duke takuar persona të të gjitha racave, gjuhëve e feve. Kështu u përhap instituti nëpër vende të ndryshme të botës, vërejti Ati i Shenjtë:

“Zemrat tuaja – përfundoi Françesku – nuk kanë barriera. Natyrisht, ju nuk mund ta ndryshoni botën të vetme, por mund ta shndrisni, duke çuar gëzimin e Ungjillit nëpër lagje, nëpër rrugë, përzier me turmën, gjithnjë afër më të vegjëlve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.