2017-09-28 14:51:00

Papa në Çezenë, qyteti i Papëve, “dioqezë në dalje”


Çezena do të jetë etapa e parë e vizitës baritore njëditore të Papës Françesku në Emilia-Romanja të Italisë, të dielën, 1 tetor, 31 vjet pas asaj të Shën Gjon Palit II. Qyteti romanjol kremton 300-vjetorin e lindjes së Papës Piu VI, në shekull Giannangelo Braschi. Më pas, Ati i Shenjtë do të shkojë në Bolonjë. Ipeshkvit të Çezena-Sarsinës, imzot Douglas Regattieri, i kërkuam të na përshkruajë se çfarë do të gjejë Papa në këtë qytet, ku do të qëndrojë dy orë:

         Realiteti qytetar është i ndërlikuar, por ndoshta, do të mund të përmblidhej thjesht me faktin se është qytet romanjol, qytet i gjallë, me shumë vullnetarë, me njerëz me iniciativë, mikpritës, bujarë e të gatshëm. Sigurisht, nga pikpamja ekonomike, qyteti vuan krizën e madhe të këtyre viteve, megjithëse ka sinjale pozitive. Papa gjen një dioqezë për udhë, një dioqezë në dalje, ashtu siç na kërkon ai vetë. Po përjetojmë një pesëvjeçar në këndvështrimin e misionit. Synimi është të shkojmë drejt njerëzve e të mos presim që të vijnë ata, por t’i takojmë atje ku jetojnë.

         Çezena quhet qyteti i papëve, sepse aty kanë lindur Papa Piu VI e Papa Piu VII. Çfarë i kanë lënë vendit këta dy bashkëqytetarë?

         Sigurisht, figura më e rëndësishme është Piu VII, sepse jetoi në këtë qytet deri në moshë të madhe, në kuvendin e benedektinëve. Por edhe Piu VI, të cilit i kujtojmë 300-vjetorin e lindjes, ka lënë shenjë. Mendoj për fundin e jetës së tij si i burgosur nga Napoleoni. Edhe Piu VII vdiq në burg. Kjo është diçka, që e cilëson si dëshmitar e dishepull të Krishtit.

         Gjatë vizitës së tij të shkurtër, Papa Françesku do të hyjë në katedrale dhe do të lutet në kapelën e Zojës së Popullit. A mund të na flisni mbi devocionin e çezenatëve për Nënën e Zotit?

         Dy shtyllat e këtij devocioni janë fugurja e Zojës së Popullit, në katedralen tonë dhe, shtatorja prej druri e Zojës së Malit. Janë dy pika, që mbledhin rreth vetes shumë njerëz, në kohë të ndryshme të vitit liturgjik. Duke vizituar famullitë, vërej se edhe bashkësitë famullitare kanë fugure të shenjta mariane ndaj të cilave besimtarët ndjejnë shumë devocion. Shën Maria është vërtet ajo, që e mbledh popullin e Zotit dhe e udhëheq drejt Jezu Krishtit.

         Në përfundim të vizitës, Papa Françesku do të takohet me personat, që strehohen në shtëpinë e mikpritjes, të cilën e keni përuruar pak muaj më parë. Na tregoni si lindi kjo iniciativë?

         Që kur kam ardhur, mendimi im i parë ka qenë t’i vë në dispozicion hapësirat e ipeshkvisë, të kuries, për bamirësi. Kjo dëshirë u konkretizua kur shoqata “Papa Gjoni” e pranoi propozimin tim dhe kur u liruan këto hapësira. E desha këtë prani edhe për të mishëruar këtë titull të lashtë, që i besohet ipeshkvit: “Procurator pauperum”, mbrojtës i të varfërve. Kjo është shenjë, që më thotë mua dhe bashkësisë dioqezane, sa shumë vëmendje duhet të kemi për të fundmit, për të vuajturit dhe nevojtarët.

         Cilat janë frytet, që mendoni se do të sjellë vizita e Papës Françesku në Çezenë?

         Unë shpresoj e mendoj se ardhja e Atit të Shenjtë do të jetë me siguri, pozitive për të gjithë, sepse është dëshmi e pranisë së Kishës në mesin e popullit. Prandaj, pres më tepër bashkim ndërmjet nesh dhe një impenjim më të madh për të shkuar drejt burrave e grave të kohës sonë, duke u shpallur atyre shpresën, që mban emrin e Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.