2017-09-26 12:36:00

Koreja e Veriut: kardinali Parolin, nevojitet më tepër qasje shumëpalëshe


Selia e Shenjtë e konsideron qasjen shumëpalëshe “mjet për të përballuar e zgjidhur problemet e ndërlikuara të botës së sotme”. Kështu pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë paraqitjes së librit “Vatikani në familjen e kombeve”, me autor ish-vëzhguesin e Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Silvano Maria Tomasi, publikuar nga “Cambridge University Press”. Kardinali Parolin pati rastin të flasë për veçoritë e diplomacisë së Vatikanit në shërbim të paqes, të respektit për të drejtat e njeriut dhe të zhvillimit të popujve, siç nënvizon në intervistën për Radio Vatikanin:

         Jam i kënaqur për këtë rast, që na u ofrua nga paraqitja e librit, i cili përmbledh ndërhyrjet dhe veprimtarinë e imzot Tomasi-t në OKB, sepse na dha mundësinë të theksojmë rëndësinë e qasjes shumëpalëshe në një periudhë, në të cilën kjo qasje, për shumë aspekte, është në krizë: tundimi është të veprojë secili për vete e të marrë vendime të njëanshme, që dalin nga ky kuadër. Qe rasti për të theksuar rëndësinë e qasjes shumëpalëshe, për të nënvizuar faktin se Selia e Shenjtë e konsideron mjet për të përballuar e zgjidhur problemet e ndërlikuara të botës së sotme, për të theksuar impenjimin tonë – që është edhe impenjimi i të gjithëve – dëshirën për t’i shërbyer njeriut, për t’i shërbyer dinjitetit të tij, të drejtave të tij, për t’i shërbyer paqes, bashkëjetesës së rregullt e paqësore në botë. Patëm pra, mundësinë t’i nënvizonim këto parime të mëdha, që janë të mëdha edhe për Doktrinën Shoqërore të Kishës. E së fundi, edhe të japim këshilla konkrete: nuk mjafton të pohojmë vetëm vullnetin, nuk mjafton të kujtojmë parimet; e rëndësishme është edhe të tregohet rruga, që mund të ndiqet. Nga kjo pikpamje, libri është vërtet i dobishëm.

         Të marrim, për shembull, krizën e Koresë së Veriut. Edhe ajo do të duhej të përballohej me një qasje shumëpalëshe, apo jo?

         Po: mendoj se ashtu është. Kur thosha se qasja shumëpalëshe është në krizë, që sot varet edhe nga konteksti i ndryshëm, në të cilin jetojmë, që është shumë-polar, me shumë probleme, kisha parasysh se bota ka një larmi të jashtëzakonshme, prandaj ky mjet është i nevojshëm për të bashkëjetuar paqësisht në larmi. Ndoshta, edhe institucionet duhet ta interpretojnë këtë parim, kanë nevojë të azhurnohen… prej sa kohësh po flitet për reformë të OKB-së! Por parimi mbetet, e pikërisht këtë deshëm të nënvizonim. Edhe Papa Françesku, me tweet-et e tij për Asamblenë e OKB-së bën thirrje për përgjegjësi, sepse në duart e liderëve të botës është fati i njerëzimit, fati i paqes, fati i bashkëjetesës së harmonishme ndërmjet popujve. Prandaj, duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi e të dinë ta interpretojnë në praktikë, përmes rrugës së përbashkët në kërkim të paqes e të zhvillimit global.








All the contents on this site are copyrighted ©.