Papa Françesku takoi sot në Vatikan anëtarët e dy Fondacioneve helvetike, që u sigurojnë mbështetje ekonomike, materiale dhe teknike Rojeve Papnore Zvicerane. Rasti i audiencës ishte përurimi i selisë së re të Qendrës operative, për realizimin e së cilës kanë kontribuar bujarisht të dyja Fondacionet.
Papa i falenderoi për bashkëpunimin dhe për gatishmërinë. “Në zhvillimin e veprimtarisë suaj – u tha – ju shprehni frymën komunitare e solidare tipike të pranisë së katolikëve në shoqëri. Ky qëndrim i gjen rrënjët në thirrjen ungjillore të dashurisë për të afërmin dhe favorizon kapërcimin e ndryshimeve e të tensioneve shoqërore ndërmjet grupeve të ndryshme”.
Vepra juaj, vijoi Papa Françesku, dëshmon konkretisht idealet e Ungjillit e, në indin shoqëror zviceran, është shembull vëllazërie e solidariteti. Për të krishterin, kujtoi, dashuria për të afërmin bazohet në dashurinë për Zotin, në mënyrë që, përmes përkushtimit personal, të tjerët të provojnë dhembshurinë e Atit Qiellor.
“Për t’u dhënë dashuri vëllezërve – shtoi Ati i Shenjtë – ajo duhet farkëtuar në furrën e dashurisë hyjnore, përmes lutjes, dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe ushqimit me Eukaristinë Shenjte. Me këto pika shpirtërore referimi, mund të veproni me logjikën e shërbimit falas”.
Më këtë rast, Papa Françesku vlerësoi edhe praninë profesionale e bujare të shumë të rinjve zviceranë, që vendosin të kalojnë disa vite të jetës së tyre në shërbim të Kishës e të Selisë së Shenjtë, prani “tepër e dobishme për mbarëvajtjen e veprimtarive të Vatikanit”.
Pikërisht sot, Kisha përkujton Pajtorin e dy institucioneve helvetike, Shën Nikollin e Flye, në 600-vjetorin e lindjes.
All the contents on this site are copyrighted ©. |