2017-09-24 15:08:00

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: “Në mbretërinë e Zotit nuk ka të papunë”.


“Në mbretërinë e Zotit nuk ka të papunë, të gjithë janë të thirrur të bëjnë pjesën e tyre; e për të gjithë, në mbarim, do të jetë shpërblimi që vjen nga drejtësia hyjnore – jo njerëzore, për fat të mirë!”.

Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e mesditës të Engjëllit të Tënzot, para 30 mijë besimtarëve e shtegtarëve ardhur prej vendeve të ndryshme, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke komentuar shëmbëlltyrën ungjillore të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar ‘A’, e cila shëmbëlltyrë flet për punëtorët mëditës të thirrur të punojnë në vresht në orë të ndryshme dhe për bujarinë e të zotit të vreshtës, i cili u dha të gjithëve të njëjtën pagë, pavarësisht nga orët e punës (Mateu 20,1-16).

“Dy janë aspektet e Mbretërisë së Zotit – shpjegoi akoma Papa Françesku – që Jezusi dëshiron të na i thotë: aspekti parë është se, Zoti dëshiron t’i thërras të gjithë të punojnë për Mbretërinë e vet: aspekti dytë, në fund Ai do t’ua japë të gjithëve të njëjtin shpërblim a pagë, do të thotë shpëtimin, jetën e amshuar”.

Nga këtu, provokimi i asaj padrejtësie të përfaqtë, që i bënë ziliqarë punëtorët  e thirrur në orët e para të ditës e të paguar po aq sa ata që e filluan shërbimin a punën për pak orë: “I zoti i vreshtës vendosi t’u japë të gjithëve të njëjtë pagë (....) sepse – vijoi Papa Françesku – Jezusi dëshiron t’i hapë zemrat tona ndaj logjikës së dashurisë së Atit Qiellor, dashuri që është falas dhe bujare”.

E nëse logjika njerëzore shpesh anon dhe përulet para egoizmit dhe përllogarive personale, duke cituar Izainë profet (55,8) Papa na këshillon ta lejojmë veten të “mahnitemi e të joshemi nga mendimet dhe nga udhët e Zotit, që nuk janë mendimet tona e nuk janë udhët tona”.

Para se të përfundonte me lutjen drejtuar Virgjërës Mari, për ndërmjetësimin, që ta pranojmë “në jetën tonë logjikën e dashurisë, e cila na liron nga mendjemadhësia se e meritojmë shpërblimin e Zotit dhe nga gjykimi negativ i tjerëve”, Papa Françesku u ndal mbi vështrimin “plot vëmendje e mirësi” të zotit të vreshtës: Është një vështrim që thërret, që fton të ngrihemi, të vihemi në udhëtim, sepse e do jetën e çdonjërit prej nesh,  dhe e do jetën e plotë, të impenjuar, të ruajtur nga zbrazësia e nga plogështia. Zoti, që nuk e përjashton askënd, do që çdonjëri t’ia mbërrijë plotësisë e realizimit të vet. Kjo është dashuria e Zotit tonë, e Hyjit tonë që është Atë”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën 24 shtator, mendimi i Papës Françesku shkoi te meshtari amerikan, misionar në Guatemala, Stanley Francis Rother, i cili më 1981 u vra në moshën 46 vjeç në “odium fidei” për veprën e tij ungjillëzuese dhe promovimin njerëzor në favor më të varfërve, i cili dje në Oklahoma City (SHBA-së) u shpall i Lum. “Shembulli i tij heroik – tha Papa Bergoglio – na ndihmoftë të jemi dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit, duke u impenjuar në favor të dinjitetit të njeriut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.