2017-09-19 11:47:00

Papa Françesku në Shën Martë: t’u afrohemi të vuajturve, për t’u kthyer dinjitetin


“Dhembshuri”, “afrim”, “kthim”. Në meshën e sotme të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku iu lut Zotit t’u japë të gjithëve hirin për të ndjerë dhembshuri para të vuajturve, për t’u afruar pranë tyre e për t’u dhënë një dorë, që të rifitojnë sërish dinjitetin e bijve të Zotit. Duke marrë shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, në të cilin tregohet se Jezusi ngjalli së vdekurish birin e vejushës së Nainit, Ati i Shenjtë shpjegoi se në Besëlidhjen e Vjetër, më të varfërit e të varfërve ishin vejushat, jetimët, të huajt. Pikërisht ata, Jezusi i shihte me dhembshuri:

Dhembshuria është ndjenjë që të përfshin, është ndjenjë e zemrës, e të përbrendshmeve, kap gjithçka. Nuk është e njëjta gjë me ‘keqardhjen’, ose me …. ‘sa keq më vjen, të shkretët!’: jo, nuk është njëlloj. Dhembshuria është përfshirëse. Do të thotë ‘të vuash me tjetrin’. Kjo është dhembshuria. Zoti merret me një vejushë e me një jetim… E, kishte përpara një turmë…pse nuk i foli turmës? Ta linte… jeta kështu është… këto tragjedi ndodhin… Jo! Për Jezusin ishte më e rëndësishme vejusha dhe ai jetim i vdekur, se sa turma, së cilës po i fliste dhe, e cila e ndiqte. Pse? Sepse zemra e Tij, të përbrendshmet e Tij u pështjelluan. Zoti, me dhembshurinë e vet, u mor me këtë rast. Pati dhembshuri”.

Dhembshuria, vijoi Papa Françesku, na nxit të afrohemi, sepse duke u afruar me njerëzit mund të shohim shumë më tepër nga sa bëjmë kur u rrimë larg:

Të afrohesh do të thotë ta prekësh realitetin. Ta prekësh. Jo ta shohësh nga larg. Pati dhembshuri – fjala e parë – u afrua – fjala e dytë. Pastaj bëri mrekullinë, por Jezusi nuk thotë: ‘Mirupafshim, po vazhdoj udhën’. Jo! Mori djalin e çfarë thotë Ungjilli? ‘Ia ktheu së ëmës’: kthim, fjala e tretë. Jezusi bën mrekulli për t’i kthyer në vendin e tyre njerëzit. Këtë bëri edhe me shëlbimin. Pati dhembshuri – Zoti pati dhembshuri – na u afrua përmes Birit të vet dhe na ktheu të gjithëve dinjitetin e bijve të Zotit. Na rikrijoi të gjithëve”.

Papa Françesku u kërkoi të gjithëve të marrin shembull nga Krishti e të bëjnë si Ai: t’u afrohemi nevojtarëve, të mos i ndihmojmë nga larg, sepse janë të palarë, sepse mbajnë erë të keqe:

Sa herë shohim në emisionin e lajmeve në televizor, ose në faqet e para të gazetave, tragjeditë… pa shiko, në aksh vend fëmijët nuk kanë të hanë; në atë tjetrin fëmijët i marrin ushtarë; në filan vend gratë skllavërohen; në atë tjetrin… oh, sa fatkeqësi! Të shkretët… Kthej faqen e kaloj në leximin e një romani, në shikimin e një telenovele apo ndonjë gjë tjetër. Kjo nuk është e krishterë! Është pyetja, që u bëj të gjithëve, edhe vetvetes: ‘A jam në gjendje të ndjej dhembshuri? Të lutem? Kur i shoh këto gjëra, që m’i sjellin në shtëpi, përmes mediave… a më pështjellohen të përbrenshmet? Zemra, a vuan bashkë me ata njerëz apo ndjej vetëm keqardhje, them ‘të shkretët’ e vazhdoj më tej…. E nëse nuk arrin të ndjesh dhembshuri, kërkoja këtë hir Hyjit: ‘O Zot, më jep hirin e dhembshurisë’”.

Me lutjen e ndërmjetësimit, me veprën tonë si të krishterë, duhet të jemi në gjendje t’i ndihmojmë njerëzit që vuajnë, në mënyrë që ata t’i kthehen shoqërisë, jetës familjare, punës, me një fjalë, jetës së përditshme, përfundoi Papa Françesku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.