2017-09-18 16:33:00

“Civiltà Cattolica”: dokumenti i Sinodit, “hartë” për Kishën dhe të rinjtë


Dokumenti përgatitor i Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve është “fryt i një shoshitjeje të urtë e jo përvijimi i një modeli abstrakt”. Kështu shkruan atë Diego Fares në revistën e jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), duke e quajtur dokumentin “hartë për udhën sinodale”.

Jezuiti argjentinas vë në dukje se Kisha hyn në dialog me të rinjtë jo si “mësuese”, pos si “dishepulle”, si Kishë, që, përmes të rinjve, mund të dëgjojë zërin e Zotit. Me dëshirën e Papës Françesku, në sinodin e ardhshëm të tetorit 2018, që do t’u kushtohet pikërisht të rinjve, Kisha do të mundohet të kuptojë si duhet ta shoqërojë rininë për ta bërë vërtet, protagoniste të jetës së vet.

Një pjesë e madhe e artikullit u kushtohet marrëdhënieve të Papës Françesku me të rinjtë. Atë Fares vëren se Ati i Shenjtë vlerësohet, pasi nuk lexon thjesht tekstin, që i vënë përpara, por dialogon me të rinjtë dhe u përgjigjet edhe pyetjeve të vështira. Në Dokumentin për Sinodin vihet në dukje se bota rinore është e shumëllojshme, prandaj të rinjtë duhen parë në përmasën e tyre ekzistenciale, aty ku jetojnë konkretisht. Në të kundërtën e vendimeve kalimtare e të përkohshme drejt të cilave i shtyn bota, Papa Françesku i nxit të rinjtë të rrezikojnë, të jenë kërkues e guximtarë, “të vënë në lojë gjithçka për një ideal”.

Feja, shoshitja dhe thirrja, vijon revista “Civiltà Cattolica”, janë shtyllat mbi të cilat ngrihet Dokumenti. I gjithë teksti, thekson jezuiti argjentinas, “niset nga pyetja, që Kisha i bën vetvetes: si t’i shoqërojmë të rinjtë në mënyrë që ata ta kuptojnë thirrjen e Zotit e, si t’u kërkojmë atyre ndihmë për të ungjillëzuar më mirë”. Kriteri, vijon atë Fares, për të dialoguar me të rinjtë është “zgjedhja e një teme me rëndësi themelore, për të cilën të jenë gati ta ndryshojnë jetën”. Për këtë, Kisha duhet të gjejë gjuhë të reja në punën e saj baritore, gjuhë plotësisht të kuptueshme nga të rinjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.