2017-09-18 14:37:00

Papa Françesku, ipeshkvijve japonezë: ruajeni dhe risojeni misionin


Papa u shkruan një letër ipeshkvijve japonezë, me rastin e vizitës baritore të Prefektit të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Fernando Filoni, i cili, që dje, ndodhet në Japoni. Ati i Shenjtë përmend martirët e shumtë të fesë, si Shën Pal Miki me shokë, një aradhe e gjatë nga e cila, shkruan Françesku, “keni trashëguar pasurinë shpirtërore”, që ju ndihmon në udhën e ungjillëzimit. Papa falenderon ipeshkvijtë për punën e tyre e pastaj, ndalet në impenjimin misionar të Kishës në Japoni, të cilën e fton të mos izolohet e të mos mbyllet në vetvete, por ta dhurojë vetveten për dashuri të Krishtit.

Kisha, merr Papa një frazë ungjillore, është “kripa” dhe “drita e botës”. Si “kripë”, ajo duhet ta ruajë botën nga korrupsioni dhe t’i japë asaj shije. Si “dritë” duhet ta pengojë errësirën të mbizotërojë e duhet të sigurojë shndritjen e realitetit. “Mbretëria e Qiellit – arsyeton Papa Françesku – paraqitet fillimisht me varfërinë e tharmit, ose me një farë të vogël; kjo simbologji e paraqet mirë gjendjen aktuale të Kishës në botën japoneze. Asaj, Jezusi i ka besuar një mision të madh shpirtëror e moral. E di mirë se vështirësitë nuk janë të pakta, për shkak të mungesës së klerit, të rregulltarëve, të rregulltareve e të pjesëmarrjes së kufizuar të besimtarëve laikë. Por mungesa e punëtorëve në vreshtën e Zotit nuk mund ta zvogëlojë impenjimin për ungjillëzimin, madje, është nxitje për të kërkuar vazhdimisht” punëtorë të rinj.

Sfidat e shumta, nënvizon Papa Françesku, nuk duhet t’i pezmatojnë ipeshkvijtë e ata nuk duhet të heqin dorë nga përballimi i problemeve, pavarësisht se të rënda, si “treguesi i lartë i divorceve, vetëvrasjet edhe ndërmjet të rinjve, njerëzit që vendosin të jetojnë krejtësisht të shkëputur nga realiteti shoqëror (hikikomori), formalizmi fetar e shpirtëror, relativizmi moral, indiferenca fetare, makthi për punën dhe fitimet”. Shqetësues, është edhe numri në rritje i të varfërve, në një shoqëri, që ecën me shpejtësi drejt një zhvillimi gjithnjë e më të madh.

Ati i Shenjtë vë theksin edhe në nevojën e “formimit të shëndoshë e të gjithanshëm meshtarak e rregulltar”, për t’i bërë më mirë ballë përhapjes së “kulturës të së përkohshmes”, siç e quan Papa Françesku, e cila “i bën, sidomos të rinjtë, të mendojnë se nuk është e mundur të duan vërtet, se asgjë nuk është e qëndrueshme”. Meshtarët, pra, duhet të dinë ta shoqërojnë atë, që ndërmerr rrugën e kushtimit ndaj Zotit, duke e afruar me dashurinë, “që na mëson Jezusi, e cila është falas, kërkon flijimin e vetvetes, por është falje e mëshirshme”. Për këtë lloj dëshmie ka etje shoqëria japoneze, sipas Papës.

Së fundi, Ati i Shenjtë përmend lëvizjet kishtare, të miratuara nga Selia Apostolike, duke kujtuar ndihmën, që mund të japin, me dëshminë dhe impulsin e tyre ungjillëzues. Që këndej, ftesa për ipeshkvijtë që t’i njohin dhe t’i shoqërojnë këto karizma, duke i bërë gjithnjë e më pjesëmarrëse në veprën e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.