2017-09-15 10:45:00

Oborri i Françeskut: kard. Bassetti, “më tepër Evropë” kundër ksenofobisë e terrorizmit


Në Asizi filloi dje 4-ditëshi i Oborrit të Françeskut. Ky edicion i tretë ndjek tri këshilla të Papës Françesku, i cili nxit të përdoret gjuha e mendjes, e zemrës dhe e duarve për t’i dhënë kuptim të ri udhës së jetës. Në këtë Oborr, marrin pjesë më se njëmijë të rinj, ardhur nga e gjithë Italia. Deri më 17 shtator, së bashku me personalitete të shoqërisë civile, të kulturës e të artit, por edhe në praninë e një publiku, që dëgjon e dialogon, ata do të diskutojnë për temën e sivjetme “Udha”. Periferitë, integrimi e radikalizimi i fesë do të jetë në qendër të debatit me gazetarë e intelektualë, ardhur nga Franca.

Dje, në fjalën e tij, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti, i ftoi të rinjtë të mobilizohen në favor të Evropës. “Sepse të gjithë kemi nevojë për më tepër Evropë – shpjegoi ai – për një Evropë popujsh që të dijë, së pari, të luftojë kundër kulturës së frikës. E pastaj, të dijë ta kundërshtojë me këmbëngulje terrorizmin. E së fundi, të mos lejojë gjallërimin e ksenofobisë, shigjetat e së cilës kanë filluar të fishkëllejnë pranë veshëve”.

Për kardinalin Bassetti nevojitet një “ndjeshmëri e re evropiane”, një “ethos i ri kontinental”, që, duke filluar nga vlerësimi i shpirtit historik të Evropës, të zhvillojë një kulturë të bamirësisë e të takimit. Një kulturë e re mbi baza të lashta, nga e cila mund të lindë një Evropë edhe më e gjallë, më e bashkuar e më e fortë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.