2017-09-14 14:32:00

Kryqi nuk është ndëshkim, as shkandull, por lavdi!


“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” -  kështu shkruan Shën Pali, apostulli i popujve, duke folur mbi misterin e vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq,  mbi atë Kryq të Shenjtë që e kremtojmë edhe sot me një përkujtim liturgjik, sipas kalendarit kishtar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve, Shën Pali nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë thellësisht Kryqin e Jezu Krishtit.
Në Letrën drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje.
Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin Atë e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse  thotë Pali, Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15).
Prej këndej, Kryqi i Krishtit nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14).
Prandaj Pali e vendosi, madje e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direku kryesor në qendër të anijes.
Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte një njeri.
Më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”. Unë besoj se Krishti e mbështetur tërë dashurinë e tij, tërë dhuratën e tij, tërë aftësinë e tij të dhurimit mbi Kryq. E çdo i krishterë është i thirrur ta zbulojë këtë mister, këtë ngadhënjim të Krishtit që tërheq njerëzimin pranë vetes për tek Ati Qiellor. Shenja e Kryqit në një farë mënyre që është sinteza e fesë sonë të krishterë, sepse na thotë se sa shumë Zoti na ka dashur e na do: na thotë se, në botë, ekziston një dashuri më e fortë se vdekja, më e fortë se ligështitë tona e se mëkatet tona.  “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.

Lutja 
O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:

ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhembshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.