2017-09-13 12:40:00

Seminari për Sinodin: të rinjtë në kërkim të transhendencës


“Të rinjtë duan të jenë protagonistë aktivë të së sotmes së tyre”. Kështu deklaron zv.sekretari i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, imzot Fabio Fabene, në Seminarin ndërkombëtar për gjendjen e të rinjve, në përgatitje të Asamblesë XV të Përgjithshme të zakonshme, parashikuar në tetor 2018, mbi temën “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes për t’iu kushtuar Zotit”.

Punimet vijojnë deri më 15 shtator dhe synojnë fotografimin e gjendjes së të rinjve të sotëm, për të nxjerrë në pah përmasat themelore të jetës së tyre. Flitet për identitet dhe për marrëdhëniet me të tjerët, për projekte, për qëndrimin e të rinjve ndaj teknologjisë e për marrëdhëniet e tyre me Zotin. U jepet fjala ekspertëve dhe të rinjve përfaqësues të realiteteve dioqezane, por jo vetëm atyre. “Ky seminar dëshiron të jetë shumëdisiplinor, ndërkombëtar”, nënvizon imzot Fabene, “por sidomos, është themelore që të rinjtë e të rriturit të dëgjojnë e të flasin me njëri-tjetrin”.

Të rinjtë, nënvizon imzot Fabene, nuk duan të shkojnë pas planeve të të tjerëve, duan të jenë protagonistë. Janë krijues dhe e kërkojnë Zotin. Kështu del nga debatet e këtyre ditëve në seminar, që përgënjeshtrojnë idenë e përhapur se të rinjtë nuk kanë pika referimi, ose nuk dëshirojnë asnjë perspektivë shpirtërore. Kisha dhe Sinodi, përfundon imzot Fabene, duhet ta kuptojnë këtë dëshirë rinore dhe t’i përgjigjen, “duke u ofruar të rinjve takimin me Krishtin, që është gëzim e shpresë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.