2017-09-13 13:22:00

BE: Juncker mbi gjendjen e Evropës. 5 propozime mbi tregtinë, industrinë, klimën, web-in, emigracionin


Të forcohet tregtia evropiane; të fuqizohet sektori industrial, “duke e bërë edhe më konkurrent dhe më të qëndrueshëm; “të jemi në vijën e parë të luftës kundër ndryshimit të klimës, duke zvogëluar emetimin e gazit serë”; t’i mbrojmë evropianët e epokës dixhitale, përmes sigurisë më të madhe në internet; të ngulim këmbë për ta përballuar temën e emigracionit në mënyrë solidare, “pa i lëvë vetëm vendet më të ekspozuara”. Këto janë pesë propozimet e kryetarit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në Fjalimin e tij mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, mbajtur sot para Europarlamentit në Strasburg.

Një ministër i vetëm i Ekonomisë për eurozonën

Juncker kërkoi që eurozona të ketë një ministër të vetëm të Ekonomisë e Financës, theksoi rëndësinë e Bashkimit të energjisë, të tregut të vetëm dixhital, si edhe të Bashkimit të mbrojtjes. Duke folur për reformat institucionale dhe politike të nevojshme për një Bashkim Evropian më të zhvilluar, propozoi unifikimin e detyrës së kryetarit të Komisionit me atë të Këshillit Evropian, duke përjashtuar mundësinë e kandidimit të tij për një mandat të dytë.

Brexit, “çast i trishtuar e tragjik”

Juncker e quajti Brexit, pra, daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, “çast të trishtuar e tragjik”, vendim për të cilin do të pendohen së shpejti edhe vetë britanikët. Juncker nënvizoi çastin e frytshëm, që po kalon Evropa, me sinjalet e daljes nga kriza dhe me përmirësimin e punësimit në të gjitha vendet anëtare. “Nuk mund të ketë në Evropë punëtorë të kategorisë së dytë – denoncoi, kur foli për punën. E njëjta punë, e njëjta pagë”. Kërkoi gjithashtu, që fëmijët të vaksinohen kudo, duke u dhënë fund debateve në Itali e në Rumani për rëndësinë e kësaj mase profilaktike, sidomos në ambientet shkollore. “Në këtë Evropën tonë, nuk duhet të ketë vdekje, që mund të shmangen”, theksoi.

Turqia larg Evropës

Juncker u shpreh për promovimin e tre parimeve:lirisë, barazisë ndërmjet njerëzve dhe shtetit të së drejtës. Kërkoi t’u hapen portat e Shengenit Rumanisë dhe Bullgarisë, ndërsa nënvizoi qartë se “Turqia po largohet nga Evropa”. Në Ankara, ngriti zërin, “gazetarët duhet të jenë në redaksi e jo në burg”.

Emigracioni: homazh Italisë dhe Greqisë

Përsa i përket emigracionit, kreu i Komisionit Evropian lavdëroi mikpritjen e Italisë dhe Greqisë, duke kritikuar solidaritetin e paktë me të cilin e kanë përballuar këtë temë vendet e tjera të Bashkimit Evropian. “Në Mesdhe – pohoi – Italisë i duhet të ruajë nderin e Evropës”. Juncker foli për gjendje tragjike në kampet e emigracionit në Libi e në vendet e tjera afrikane, për të cilat Evropa duhet të bashkëpunojnë me OKB-në. Duhet të bëjmë shumë më tepër për zhvillimin e Afrikës, nënvizoi, si edhe për hapjen e rrugëve të ligjshme të emigrimit për në Evropë.

Përfundoi, duke i kërkuar Evropës dhe shteteve anëtare të “japin provën e guximit” për t’iu përgjigjur aspiratave të qytetarëve, për të përballuar sfidat aktuale dhe për të përgatitur një të ardhme të përbashkët në mirëqënie, barazi dhe siguri. Fjala e fundit e tij u prit me duartrokitje të stuhishme nga pjesa më e madhe e gjysëmrrethit të Europarlamentit, por asnjë sinjal miratimi nga euroskeptikët, të majtë apo të djathtë qofshin.








All the contents on this site are copyrighted ©.