2017-09-10 12:21:00

Papa: vuajtja e fëmijëve ta këput shpirtin, po Jezusi nuk i braktis


Njëra i bën shenjën e Kryqit, tjetri, i rregullon  rripin e orës së dorës, një tjetër e merr ngrykë dhe i kërkon mbrojtje. Të gjithë shtrëngojnë në duart e vogla lule margerita e këndojnë. Kështu, 300 fëmijët, që e pritën Papën në Hogar de San José di Medellín, një nga shtëpitë-familje drejtuar nga kryedioqeza vendase për t’i ndihmuar më të vegjlit, viktima të dhunës e të braktisjes. Pikërisht duke menduar për këto realitete të vështira, Papa theksoi se pamja e fëmijëve që vuajnë, ta këput shpirtin, sepse janë të zgjedhurit e Jezusit. Është e papranueshme - pohoi - të keqtrajtohen, t’u mungojë e drejta për ta jetuar fëmijërinë në paqe e me gëzim, t’u mohohet  ardhmëria plot me shpresë.

Papa dëgjoi me vëmendje përshëndetjen e drejtorit, imzot Armando Santamaria Ortiz dhe dëshminë e Klaudia Yesenia.

Prelati foli për ndihmën, që u jepet fëmijëve me një lutje, një shikim  të ëmbël, një dialog të sinqertë, për ta rifituar paqen e humbur e për të zbuluar Zotin, që hap horizonte të reja. Vajza tregoi historinë e saj plot dhembje për humbjen e familjes në një masakër të luftëtarëve. Pas vuajtjes shumëvjeçare, gjeti, më në fund, në Hogar, “familjen e  dytë” dhe gjithçka  i nevojitet për të qenë e lumtur: fenë, ngrohtësinë e shtëpisë, edukimin e mirë, shëndetin, bukën e përditshme. E Papa kujtoi vuajtjen dhe padrejtësitë që pësojnë sa e sa fëmijë, “viktima të pafajshme të ligësisë së disa njerëzve”.

Edhe Krishti Fëmijë - vijoi - qe viktimë e urrejtjes dhe e persekutimit, iu desh të ikte me gjithë familjen, të linte tokën e vet, shtëpinë e vet, për të shpëtuar nga vdekja. Po Jezusi - i siguroi Papa fëmijët - nuk e braktis njeriun që vuan, e aq më pak fëmijët, të zgjedhurit e Tij. E pikërisht Hogar de San José, që do të thotë “Shtëpia e Shën Jozefit”, është dëshmi e dashurisë së Jezusit për të vegjlit dhe e dëshirës për të qenë  gjithnjë pranë tyre, përmes kujdesit të shumë njerëzve të mirë, që i mbrojnë. Sepse - kujtoi në vijim Papa - drejtuesit, personeli e njerëz të tjerë pranë jush, tashmë janë pjestarë të familjes, “ku e ndjejmë se na duan, na mbrojnë, na pranojnë, na përkujdesin e na shoqërojnë”.

Françeskut i pëlqeu shumë edhe që shtëpia mban emrin e Shën Jozefit ndërsa qendrat e tjera quhen “Jezusi punëtor” e “Betlehemi”. Jeni në duar të sigurta - u tha fëmijëve - mes njerëzve, që ju mbrojnë, ashtu si Shën Jozefi mbrojti e shpëtoi nga rreziqet Familjen Shenjte.

Të gjithë rregulltarëve dhe laikëve të shtëpive të ndryshme të “kryeqytetit katolik” të Kolombisë, që strehojnë e përkujdesin me dashuri fëmijët, të cilët që në mituri provuan vuajtjen e dhimbjen, Françesku u kujtoi dy realitete, që nuk duhet të mungojnë, sepse pjesë e identitetit të krishterë: “dashurinë, që di ta shikojë Jezusin të pranishëm në më të vegjlit e më ligshtit dhe detyrën e shenjtë për t’i çuar fëmijët tek Jezusi”. E më pas Papa uroi që Shën Jozefi t’i frymëzojë e t’i ndihmojë për t’u kujdesur plot dashuri për fëmijët, që janë e ardhmja e shoqërisë kolombiane, e botës dhe e Kishës.

Uroj që ashtu si Jezusi - përfundoi Papa - të rriten në dije e hir para Zotit e  njerëzve, me shpresë se do të mund t’i shërojnë plagët e korpit e të zemrës, sepse Zoti nuk braktis, mbron e ndihmon.








All the contents on this site are copyrighted ©.