2017-09-08 14:03:00

Papa Françesku për CELAM: shërbejini kontinentit me gëzim e pasion


“Aparacedia është thesar, zbulimi i të cilit nuk ka përfunduar akoma”. Është një nga pohimet më të rëndësishme të Papës Françesku, i cili dje pasdite, me orën e Kolombisë, kur në Evropë ishte tashmë natë, rreth orës 22.00, takoi Komitetin drejtues të Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine, CELAM, në nunciaturën apostolike të Bogotasë.

Gëzimi është kriter, që mat frytet e misionit

Metoda e punës, caktuar në Aparecida përmes dokumentit të njohur të vitit 2007, që përcakton tiparet e meshtarit, bazohet mbi bashkëpunimin e Kishave lokale për të realizuar një mision të përbashkët kontinental, i cili, tha dje Papa, nuk është “shuma e nismave programatike, që mbushin agjendën dhe i shpërndajnë energjitë e çmuara, por përpjekja për ta vënë misionin e Jezusit në zemër të vetë Kishës”. Kjo përpjekje, pati thënë Ati i Shenjtë edhe gjatë DBR-së në Rio-de-Zhaneiro, është kriter për të matur frytet e strukturave kishtare, punën e meshtarëve e të rregulltarëve e së fundi, edhe gëzimin e tyre, “sepse pa gëzim nuk tërhiqet askush” në Kishë.

Të mos ideologjizohet Ungjilli

Papa kritikoi ashpër, ashtu si katër vjet më parë, tundimin për ta ideologjizuar mesazhin ungjillor, funksionalizmin kishtar, klerikalizmin e paaftësinë për t’i folur zemrës së njeriut. Zoti, pohoi, kur i flet zemrës së njeriut, nuk e bën si të ishte ndonjë noter, që thërret në zyrë, por me zërin e pagabueshëm të Atit, që i flet të birit. Ati i Shenjtë nguli sërish këmbë në konceptin e Kishës në dalje drejt vëllezërve të vet, duke përdorur mjetet e Krishtit: afërsinë dhe takimin. Trashëgimia e Kishës nuk mund të reduktohet në përkujtimin e përvjetoreve, theksoi Papa, por duhet të plazmojë marrëdhëniet e njeriut me Zotin. Misioni në kontinentin amerikan duhet ta kapërcejë “bizantinizmin e doktorëve të ligjit” e të shkojë drejt njerëzve, sipas shembullit të Krishtit, i cili “ndërsa ecte, takonte; kur takonte, afrohej; kur afrohej, fliste; kur fliste, prekte me pushtetin e vet; kur prekte, shëronte dhe shpëtonte”.

Të ruhet trashëgimia e Aparecidës

Papa Françesku vuri në dukje para ipeshkvijve të CELAM-it, se kontinenti amerikan është tepër i shpërhapur e i copëzuar. I kërkoi Kishës të mos qëndrojë në Amerikën Latine si të ishte me valixhe në dorë, gati për t’u nisur, pasi ta ketë plaçkitur, siç kanë bërë shumë të tjerë. Kisha respekton fytyrën shumëformëshe të kontinentit, të cilën e konsideron pasuri, si edhe e njeh mirë mënyrën e veçantë të përjetimit të fesë nga ana e popujve latinoamerikanë. Ati i Shenjtë u kërkoi ipeshkvijve të CELAM-it të “vigjëlojnë mbi konkretizimin e shpresës” ndër popuj, që, pavarësisht nga vështirësitë, nuk janë përulur para zhgënjimeve.

Roli i të rinjve dhe i grave latinoamerikane

Megjithëse statistikat i përvijojnë të rinjtë si të zhgënjyer nga jeta, pre e drogës dhe e dhunës, Papa Françesku i inxiti ipeshkvijtë të mos shkojnë pas këtyre karikaturave të botës rinore, por të investojnë kohë e burime për programe edukative e për krijimin e hapësirave konkrete në atë shteg të zemrës, që çon drejt Zotit. Grave latinoamerikane, Papa iu drejtua me admirim të madh. I quajti “zejtaret e së mirës”, që ndezin e rindezin flakën e fesë, ruajnë “shpirtin metis” të kontinentit e nuk e meritojnë të kthehen në “skllave të klerikalizmit tonë kokëfortë”. Ato janë “protagonistet e Kishës latinoamerikane”.

Laikë të vetëdijshëm e të vendosur

Tek klerikalizmi, Papa shikon edhe arsyen, që nuk i lë laikët e kontinentit të punojnë si duhet brenda Kishës. Janë bërë disa hapa, pranon Ati i Shenjtë, por akoma duhet vënë në jetë ai këndvështrim mbi laikët, që i bën ata të aftë të ndikojnë në politikë, për të kontribuar në zhvillimin e në vendosjen e drejtësisë dhe të paqes në vendet përkatëse. Për Papën Françesku, “shpresa në Amerikën Latine kalon përmes zemrës, mendjes dhe krahëve të laikëve”, që nuk rendin pas sigurimit të pasurisë, por pas thjeshtësisë së krishterë.

Së fundi, Papa u la ipeshkvijve të CELAM-it këto fjalë, që përbëjnë këshillën e tij baritore: “Nëse duam t’i shërbejmë, si CELAM, kësaj Amerikës sonë Latine, duhet ta bëjmë këtë me pasion”, ashtu si shën Turibi i Mogrovejos, që kaloi 18 nga 24 vjetët e ipeshkvnisë, në vendet e dioqezës së vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.